Reforma në drejtësi është tog fjalëshi që për më shumë se dy vjet ka rrëmbyer vëmendjen dhe interesin e qytetarëve shqiptar, por edhe të faktorit ndërkombëtar.
Instituti i Studimeve Politike publikoi një studim, ndërsa thotë se deri në fundin e muajit gusht 2019 kanë kaluar procesin e rivlerësimit rreth 189 subjekte, nga të cilat 69 janë vendime shkarkimi dhe 38 janë vendime dorëheqjesh.
Por në raport thuhet se procesi i rivlerësimit ose vetingu mbart dritë hije dhe në shumë raste vendimet janë me dy standarde.
"Për shembull, për të marrë një vendim lidhur me subjektin K.Selita, kreu i Gjykatës Administrative të Apelit KPK kërkoi rreth 20 muaj kohë, shumë më tepër sesa për çdo subjekt tjetër rivlerësimi. Ka emra të tjerë në listën e subjekteve që kanë kërkuar 16 deri në 18 muaj kohë për një proces rivlerësimi, i cili sipas ligjit duhet të mos zgjaste më shumë sesa 60 – 90 ditë, pra 2-3 muaj".
Po sipas raportit përveç nxjerrjes jashtë sistemit të njerëzve të korruptuar, e mira e reformës në drejtësi është se Shqipëria për herë të parë po shikon njerëz të pushteshëm që po japin llogari.
" Ai krijoi perceptimin publik se të paprekshmit, të fuqishmit, të pasurit për shkak të posteve zyrtare, rrethi vicioz vendimmarrës, etj, në demokraci përballen me llogaridhënien dhe paguajnë kostot e gabimeve apo sjelljeve të tyre."
Krahas vettingut, në raport thuhet se prova kryesore e reformës në drejtësi do të jetë struktura antikorrupsion.
"Të gjitha palët politike akuzojnë njëra tjetrën se kanë frikë nga SPAK dhe secila palë politike premton se pas krijimit të SPAK do të jenë aty për të denoncuar krimet apo korrupsionin e palës tjetër".