Nga stresi te zemra, ja “sëmundjet” që po rrezikojnë jetën e profesionistëve shqiptarë

Diel, 01 September 2019 08:11

Të ulesh para një kompjuteri për gjithë ditën mund të jetë e rrezikshme për shëndetin tuaj. Dhembjet në shpinë, sytë e skuqur dhe problemet me gjumin mund të jenë pasoja të një mjedisi pune me nivel stresi në rritje apo edhe e jetës sedentare. Më keq akoma, niveli i stresit shkon deri në ankth, apo në probleme me zemrën. Të gjitha këto, kanë një emërues të përbashkët: puna! Qoftë kjo biznesi që drejton apo një punë ku je i kontraktuar.


Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka shpallur ‘sëmundjet profesionale’ si problematike kudo në botë; ato nisin nga problemet me sytë, shtyllën kurrizore dhe deri te sëmundjet që vijnë nga sektorë të cilën konsiderohen të rrezikshëm, si për shembull minierat.
Mjekja okuliste, Stela Ceca, shprehet për “Monitor”, se nga përvoja e saj profesionale ka parë jo rrallëherë persona që vuanin nga Sidroma Vizive nga Kompjuteri dhe nga sforcimi i syrit, duke mos marrë për bazë këshillat e duhura për shmangien e tyre.

Ajo shton se rreth 50-90% e njerëzve në kontakt me kompjuterin (kryesisht për punë) vuajnë nga shkallë të ndryshme të kësaj sindrome, statistikë kjo për të gjithë botën, përfshirë edhe vendin tonë. Dr. Ceca thotë se shpesh, probleme të tilla shkaktojnë uljen e produktivitetit në punë, kënaqësinë e të punuarit dhe performancën e përgjithshme në karrierë.

Specialistët e fushës së psikologjisë dhe të shëndetit mendor pohojnë se orari i zgjatur dhe koha e pamjaftueshme për të pushuar dhe për të rikuperuar energjitë, bëjnë që punonjësi të mos jetë efektiv dhe me kalimin e kohës, të jetë i stresuar dhe i lodhur. Specialistja e psikologjisë, prof. dr. Arjana Muçaj, pohon se pushimi me intervale të shkurtra, gjatë orarit të punës, është i nevojshëm, për të shmangur atë lloj lodhjeje që të shkakton stresin në një ambient pune. Sa i përket faktit se si mund të shmangim cenimin psikologjik nga puna e tepërt apo edhe thjesht stresi i shkaktuar, znj. Muçaj thotë se planifikimi dhe ndjekja e një programi të qartë, që do të shpërndajë punën në mënyrë të njëtrajtshme, eliminon “rraskapitjen” psikologjike.

Specialistët e fushës së psikologjisë shtojnë se, edhe zhvillimi teknologjik ka ndikimin e tij në të gjithë sferat profesionale apo biznese. Njerëzit janë shumë më në kontakt me një formë teknologjie apo tjetër, profesione të ndryshme si programues dhe zhvillues, ekspertët fiskalë dhe kontabilistët, kalojnë një kohë të gjatë para kompjuterit.

Mjekja okuliste Stela Ceca pohon se, në ditët e sotme, flitet për një fenomen i cili quhet mirëfilli “sindroma e kompjuterit”, që sipas saj përfshin një sërë problemesh të syve si rezultat i qëndrimit për një kohë të gjatë para kompjuterit, tabletit dhe telefonit. “Shumë individë që përdorin kompjuterin për një kohë të gjatë për shkak të punës së tyre ndiejnë lodhje të syve dhe shqetësime të ndryshme që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me kohëzgjatjen e përdorimit të pajisjeve elektronike”, – thotë znj. Ceca

E pyetur mbi efektet e punës me orare të zgjatura, mjekja okuliste thotë se simptomat më të shpeshta që lidhen me Sindromën e Kompjuterit janë: dhimbje të syve, dhimbje koke, shikim i turbullt, ndjesi e syrit të thatë, dhimbje qafe dhe të shpatullave. Këto shqetësime mund të shkaktohen nga drita e dobët e mjedisit, ose ndriçimi i tepërt i ekraneve të pajisjeve dixhitale, distanca jo e përshtatshme e shikimit, mbajtja siç duhet e shpinës gjatë punës, defekte të refraksionit të pakorrigjuara më parë ose një ndërthurje e gjithë këtyre faktorëve së bashku.

“Shfaqja e simptomave varet nga kapaciteti i syve të gjithsecilit për të përballuar punën para kompjuterit dhe kohëzgjatja e qëndrimit përpara pajisjeve elektronike. Për të ulur sa më shumë këto efekte negative është e nevojshme të çlodhni sytë vazhdimisht sipas rregullit 20-20-20 që nënkupton çdo 20 minuta pune, 20 sekonda pushim duke parë 20 këmbë larg.

Po ashtu, probleme të refraksionit të pakorrigjuara si miopia, astigmatizmi dhe hipermetropia ose probleme të shfaqura nga mosha, si presbiopia, si edhe probleme të koordinimit të syve mund të jenë shkaktarë të shfaqjes më të hershme të problemeve. Të tjerë hapa që mund të ndërmarrim janë kontrolli i dritës së mjedisit, duke punuar sa më shumë në dritë natyrale dhe duke ulur ndriçimin e ekranit të pajisjeve elektronike. Në rast se këto pajisje përdoren gjatë, e mira është të mbrohen sytë duke përdorur xhama mbrojtës nga drita blu. Po ashtu pulitja e syve apo përdorimi i lotëve artificialë ndihmon në pakësimin e shqetësimeve të lidhura nga thatësia e syve.”-këshillon znj. Ceca.

Rraskapitje psikologjike

Sipas statistikave shkencore, stresi në punë favorizon manifestimet klinike të sëmundjeve koronare kardiovaskulare, duke vepruar si një faktor i lartë rreziku për to. Specialistët e fushës psikologjike në Klinikën Venis në kryeqytet thonë se stresi për një kohë të gjatë në punë me kalimin e kohës shndërrohet në një gjendje konsumimi fizik e mendor (që në literaturë quhet “Burnout”), i cili ka pasoja shumë të rënda për individët.

“Njerëzit po e humbasin entuziazmin dhe po shfaqin tendencën e një qëndrimi negativ ndaj punës në përgjithësi për shkak të fenomenit të ‘drejtuesve militantë’, që fatkeqësisht në më të shumtat e rasteve janë joprofesionalë, me një kulturë të munguar si atë të përgjithshme por edhe të stileve të ngurta të komunikimit profesional, të patrajnuar mirë, shumë prepotentë dhe cinikë. Ky stres i vazhdueshëm shkakton përveç rënies së dukshme të produktivitetit, edhe një ndjesi të përgjithshme të pesimizmit e mungesës së shpresës për ndryshime pozitive, që çon pa kuptuar herët a vonë drejt depresionit. Dihen efektet shkatërruese të depresioneve”, – pohojnë mjekët.

Specialistët bëjnë me “faj” edhe drejtuesit në punë. Sipas tyre, njerëzit për të cilët puna dhe drejtuesit prepotentë e të paaftë ju janë shndërruar në burim ankthi fillimisht nisin zgjasin “kohën e kafesë”, duke e shtyrë për më vonë punën e ditës, ndihen të mërzitur, bëhen nervozë, manifestojnë shenja somatike të ankthit, të cilat kanë ndikim negativ në jetën familjare dhe personale dhe shoqërohen gjithnjë me një ndjenjë të lodhjes kronike. Disa të tjerë, pavarësisht nga përvoja dhe aftësitë e tyre shumë të mira profesionale, arrijnë deri aty sa të dyshojnë seriozisht në aftësitë e tyre të spikatura, duke u shndërruar në “robotë” që mezi presin të mbyllin ditën e punës për t’u tërhequr në vetminë e tyre.
“Mungesa e vazhdueshme e motivimit, ndonjëherë shoqërohet edhe me orët e zgjatura të punës për të kompensuar kohën e kafesë ose të rendimentit edhe si pasojë e mungesës së tyre përqendrimit.

Këto gjendje shoqërohen shpeshherë me simptoma trupore si dhembje koke, dhembje qafe, rëndim prapa kokës, luhatje emocionale, rishfaqje e beftë e ankthit, shtrëngime në zemër, rrahje të shpejta të zemrës, probleme me frymëmarrjen etj. Në praktikën klinike, jo rrallëherë na takon të shohim individë ekstremisht të dëshpëruar dhe të demoralizuar për të ardhmen e tyre dhe të familjes, të cilët shprehen se e kanë të pamundur të kontrollojnë jetën e tyre dhe të marrin vendime, në një mjedis mbytës pune”, – pohojnë mjekët.

Ana sociale

Socologia Marsida Simo thotë se, prej vitesh, kryesisht në vendet e zhvilluara, orari i punës është diskutuar për të qenë më i shkurtuar. Kjo për arsye që në fund të ditës, punonjësi të kryejë një punë me produktivitet, po ashtu të ketë edhe energji për t’ju përkushtuar vetes, familjes apo dhe fëmijëve.

 

“Në vendin tonë, nuk janë vetëm të shfrytëzuar në punë personat që kryejnë një veprimtari fizike, por edhe ata që punojnë në zyra apo në sektorin e shërbimit. Orari i zgjatur është tipar kryesisht në shumë kompani private, të cilat priren të paguajnë jo në nivelin e duhur punonjësit, dhe nga ana tjetër t’i mbajnë jashtë orarit të punës. Shpeshherë, justifikimi nga ana e punëdhënësit vjen me arsyen se punëmarrësi nuk arrin ta kryejë punën brenda orarit zyrtar, si një paaftësi e këtij të fundit. E, nga ana e punëmarrësit, nuk mund të ankohet, pasi vendi i punës është shumë i rëndësishëm. Megjithatë, të mos harrojmë se produktiviteti i njeriut nuk mund të jetë kurrsesi në nivelin e duhur në një punë e cila bëhet frustruese dhe nuk të lë hapësira për pjesën e jetës personale. E si rrjedhim, pjesëtarët e familjes kalojnë në plan të dytë, duke sjellë edhe konflikte, të cilat duan më shumë kohë të zgjidhen, për shkak të mungesës së kthjelltësisë edhe prej stresit dhe lodhjes nga puna”,- thotë znj. Simo.

Ajo shton, se në ditët e sotme, fëmijët shohin dhe ndërveprojnë më tepër me edukatore, mësues apo dado, sesa prindërit e tyre.
“Njeriu nuk është makineri e programuar, që të ketë të njëjtin rendiment çdo ditë. Përkundrazi, energjia, dëshira dhe pasioni mund të humbasin dhe të kthehen në një qëllim të vetëm, në atë të pritjes për tërheqjen e pagës. E të gjitha këto mund të ndodhin nëse punëdhënësi i tij anashkalon nevojat themelore. Këto nevoja janë edhe të parashikuara me ligj, siç janë, pushimi i detyruar, kushtet bazike, ajrosja, mjetet e nevojshme që e mbrojnë nga rreziqet etj. Nënat shtatzëna duhet të kenë më tepër vëmendje nga punëdhënësi, i cili jo pak herë shkel ligjin dhe rregullat humane vetëm që të realizohet norma e punës”,- bën thirrje në fund sociologia Marsida Simo.

Kujdes zemrën!

Eristen Kuka, mjek kardiolog në Qendrën Shëndetësore nr. 9 në Tiranë, thotë se, studime të shumta vërtetojnë se stresi ndikon negativisht në çrregullime të rrahjeve të zemrës dhe si rrjedhojë, në sëmundje fatale.

“Rrahjet e çrregullta të zemrës janë perceptuar si anomali të rrahjes së zemrës dhe karakterizohen nga ndërgjegjësimi i kontraktimeve të muskujve kardiake në gjoks si rrahje me vështirësi, rrahje të shpejta / ose të parregullta. Rrahjet e parregullta të zemrës mund të jenë të ndryshueshme ose të vazhdueshme.

Këto lloj rrahje të zemrës mund të ndodhin në kohë të caktuara, ose mund të zgjasin për periudha të gjata kohore. Rrahjet e zemrës mund të jenë të lidhura gjithashtu me sëmundje të zemrës: sulm në zemër, sëmundje koronare arteriale, dështim të zemrës, probleme të valvulave të zemrës, probleme të muskujve zemrës. Një ndër shkaqet që mund t’u atribuohet këtyre çrregullimeve të rrahjeve është ankthi dhe stresi”- thotë z. Kuka.

Ai shton se, ankthi dhe stresi rrisin nivelin e kortizolit dhe adrenalinën e trupit, e cila nga ana tjetër mund të ndërhyjë me funksionimin normal të sistemit nervor. Në mënyrë të ngjashme, stresi fizik dhe mendor mund të ndikojnë në paraqitjen e dridhjeve dhe çrregullimeve të zemrës. Dr. Kuka thotë se edhe ilaçet kundër depresionit kanë ndikimin e tyre në dëmtimin e zemrës.

Stresi dhe personaliteti

Shkaku i parë janë tiparet e personalitetit të një individi, sepse njerëzit që janë më të ndjeshëm, që janë shumë të përgjegjshëm ndaj detyrave që marrin, ata që punojnë në profesione që i vënë përpara detyrimeve për të pasur kufizime në kohë për të arritur objektivat, janë më të prirë për t’u stresuar. Po ashtu, edhe personat që janë analitikë, që analizojnë në detaje një ngjarje apo bëjnë analiza të thelluara të punës, të raporteve të tyre me të tjerët. Edhe njerëzit që synojnë të arrijnë përsosmërinë, që i duan gjërat e veta deri në imtësi të realizuara në mënyrë të përkryer janë të predispozuar për t’u prekur më tepër nga çrregullimet e stresit dhe të ankthit.

Më shumë stres

Një shoqëri e stresuar, pikë së pari, nuk ka produktivitet në punë. Kjo ishte fjalia e parë që pohoi dr. Arjana Rreli, mjeke psikiatre. “Janë rritur faktorët stresues, pasiguria në vendin e punës. Pamundësia për të gjetur punë, por edhe konfliktet brenda familjes rrisin nivelin e stresit, gjë që rrit nivelin e ankthit. Diçka që po ndryshon vitet e fundit në Shqipëri është mungesa e kompleksit për të pranuar kur kanë probleme, njerëzit po ndërgjegjësohen për të kërkuar ndihmë, ndaj pohoj që kam më shumë njerëz në klinikë që vijnë”, – tha Dr. Rreli.
Sipas saj, shkaqet e stresit janë të ndryshëm.

“Unë do të pohoja sigurisht si shkak të parë tiparet e personalitetit të një individi, sepse njerëzit që janë më të ndjeshëm, që janë shumë të përgjegjshëm ndaj detyrave që marrin, ata që punojnë në profesione që i vënë përpara detyrimeve për të pasur kufizime në kohë për të arritur objektivat, janë më të prirë për t’u stresuar. Po ashtu, edhe personat që janë analitikë, që analizojnë në detaje një ngjarje apo bëjnë analiza të thelluara të punës, të raporteve të tyre me të tjerët.

Edhe njerëzit që synojnë të arrijnë përsosmërinë, që i duan gjërat e veta deri në imtësi të realizuara në mënyrë të përkryer janë të predispozuar për t’u prekur më tepër nga çrregullimet e stresit dhe të ankthit”, – thotë znj. Rreli. Shkak tjetër, që përmend mjekja janë dhe stresorët e jashtëm: një njeri që është në kërkim të një pune, që nuk ka gjetur dot shpërblimin për një investim në një vend pune, por edhe ata që janë të vetmuar, pa një partner.

“Është parë nga studimet që beqarët apo njerëzit që kanë humbur lidhjet, qoftë shoqërore apo civile, janë njerëzit më të predispozuar për t’u prekur nga stresi. Po ashtu, personat në vështirësi ekonomike të konsiderueshme, dhe që minimalisht, një kryefamiljar s’ka mundësi të çojë në shtëpi ushqimet bazë, është në presionin e njeriut përgjegjës për sigurimin e të ardhurave.”- thotë mjekja. Dr. Rreli përmend si shkak të rëndësishëm në shtimin e stresit në mesin e shqiptarëve dhe sjelljen konfliktuale, edhe në punë, që sipas saj është tipar i popujve ballkanas.

Çlodhje

Ka edhe kështu. Profesionistë apo sipërmarrës të stresuar gjatë orareve të gjata, që kërkojnë çlodhje. Emona Begolli, nga “Bamboo SPA”, thotë për “Monitor” se është shtuar numri i biznesmenëve që vijnë për të marrë një shërbim masazhi, për të larguar streset e ditës së ngarkuar.

Sipas saj, masazhet janë shërbimi më i kërkuar nga klientët meshkuj dhe kryesisht, drejtues të bizneseve të caktuara që, kërkojnë të çlirojnë energjitë negative të një ditë të stresuar përmes këtyre shërbimeve. Znj. Begolli pohon se një pjesë e këtyre sipërmarrësve janë të abonuar rregullisht, por ka edhe të tjerë që vijnë për të marrë shërbime masazhi pas një dite mbledhjeje të gjatë apo me vendimmarrje të rëndësishme në biznes./Monitor

Modifikuar më Diel, 01 September 2019 08:13
Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...