Përmbytjet kanë shkaktuar një gjendje alarmante në Kurbin gjatë natës. Uji ka hyrë në shumë banesa dhe banorët thanë se këtë gjendje nuk e mbanin mend ndonjëherë të kishte ndodhur.
Po ashtu, fshati Murqinë i Krujës është gdhirë i përmbytur. Lumi Ishëm dhe kanali i Budullës kanë dalë nga shtrati gjatë duke përmbytur fshatin.
Janë rreth 50 banesa të rrethuara nga uji, por fatmirësisht uji akoma nuk ka hyrë nëpër banesa.
Problem i madh është prurja e madhe e lumit dhe e kanalit të Budullës, niveli i të cilave po rritet ndjeshëm çdo sekondë.
Ndërkohë, në disa fshatra të tjera gjendja është alarmante. Janë përmbytur fshatrat Luz, Mazhë, Mallkuc, Gjuricë, Bilaj, Murqine, Hasan, Ura e Gjoles etj... Janë me qindra hektarë tokë dhe dhjetëra banesa të rrethuara nga uji. Shumë familje janë të izoluara brenda dhe niveli i ujit po rritet çdo sekondë.
Akset kryesore rrugore janë të kalueshme aktualisht. Problem janë rrugët e fshatrave të mësipërm.