Skandali me Ukrainën, palët shkëmbejnë akuza

Hënë, 07 October 2019 18:24

Në Uashington po ndizet debati ndërkohë që Dhoma e Përfaqësuesve vazhdon hetimet mbi Presidentin Trump. Një tjetër person nga radhët e komunitetit të zbulimit ka raportuar se ka pasur aktivitete shqetësuese nga ana e presidentit në shkëmbimet me Ukrainën, siç shpjegon një jurist që përfaqëson dy zyrtarët e zbulimit, të cilët mbeten anonimë. Të dyja palët po shkëmbejnë akuza për shkelje.

Presidenti Trump shprehet i shqetësuar për korrupsionin në Ukrainë ku ai thotë se mund të ketë qenë i përfshirë kandidati kryesor demokrat në garën presidenciale, Joe Biden. Djali i zotit Biden ka interesa biznesi në një kompani që është nën hetime në Ukrainë.

Presidenti i kërkoi homologut ukrainas ta ndjekë këtë çështje kur zhvilloi një telefonatë me të, e cila nga kritikët shihet si presion mbi një udhëheqës të huaj për të nxjerrë të palara për një rival politik në shkëmbim për mbi 400 milionë ndihma amerikane.

Një zyrtar i zbulimit raportoi me shqetësimin se kishte pasur shkelje. Thuhet se edhe një tjetër zyrtar ka raportuar tek Inspektori i Brendshëm i komunitetit të zbulimit, Michael Atkinson.

“Trumpi është presidenti më i korruptuar që kemi pasur në historinë moderne. Ai është përkufizimi i korrupsionit,” tha Joe Biden, kandidat demokrat në zgjedhjet presidenciale.

Presidenti i ka cilësuar hetimet një gjueti shtrigash e kryesuar nga demokratët në Kongres, përfshirë ligjvënësin Adam Schiff, kryetar i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Shërbimet e Zbulimit:

“Ky është një krim, një akt mashtrimi ndaj popullit amerikan, por do të punojmë së bashku me Adam Schiff dredharakun, me Nancy Pelosin dhe me të tjerët,” tha presidenti.

Zoti Trump tha se në fakt ai është personi që po zbulon shkelje:

“Nuk dua t’ia di për fushatën e Joe Bidenit. Por më shqetëson korrupsioni”.

Demokratët thonë se zoti Trump ka tradhëtuar betimin që ka bërë si president:

“Kjo administratë, pa asnjë justifikim ngriu 391 milionë dollarë ndihma për Ukrainën që është në pozitë delikate. Më pas presidenti i bëri presion një udhëheqësi të huaj të ndërhynte në zgjedhjet e 2020 dhe të vinte në shenjestër një shtetas amerikan për përfitime politike. Ky është përkufizimi i abuzimit të postit,” tha ligjvënësi demokrat Hakeem Jeffries.

Senatori nga shteti Utah, Mitt Romney, një ndër kritikët e pakët të presidentit nga radhët e republikanëve, është shprehur se këto janë akuza shqetësuese. Një tjetër republikan thotë se zoti Trump thjesht po bën detyrën:

“Nëse do të dërgojmë këto fonde nga paratë e amerikanëve që i fituan me punë të fortë në ndihmë të Ukrainës që të përballojë kërcënimin rus, që të vazhdojë të përparojë në drejtimin e duhur, që të marrë sistemet e sigurisë që i nevojiten, mendoj se presidenti beson se duhet të ketë më parë garanci që në atë vend nuk ka korrupsion,” thotë ligjvënësi republikan Jim Jordan.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo është një ndër emrat e përmenduar në këtë temë, pasi u tha se ai ishte i përfshirë në telefonatën me presidentin.

Mesazhe të shkëmbyera mes disa diplomatëve amerikanë tregojnë se edhe ata ishin të përfshirë prapa skenave.

Login to post comments