Pak ditë pas vrasjes së 34-vjeçarit Eri Zefi në Zallë Xhuxhë në Fan të Mirditës, kanë dalë në dritë detaje nga ekspertiza e tij mjeko-ligjore. Mbi të riun janë qëlluar 6 plumba, 2 prej të cilëve në zonën e gjoksit dhe 4 të tjerë në kokë.
Mësohet se 34-vjeçari nuk ka pasur shenja të tjera dhune në trup, dhe vrasja rezulton të jetë kryer gjatë orëve të natës, dhe trupi është gjetur vetëm rreth orës 16:00 të pasdites.
Kjo tregon se autorët e kanë marrë viktimën deri në vendin ku e kanë vrarë, në mënyrë që të shmangnin çdo gjurmë pasi terreni është i thyer dhe pa popullsi.
Kujtojmë se viktima u gjet i vrarë rreth orës 16:00 të së mërkurës në një zonë të pyllëzuar 50 metra larg rrugës së Kombit. Ka qenë një banor i zonës i cili ka pikasur trupin e viktimës në një kanal dhe menjëherë ka njoftuar policinë në lidhje me ngjarjen. Në vendin e ngjarjes nuk janë gjetur gëzhoja plumbash çka ka vështirësuar punën e hetuesve, dhe zbulimin e mëtejshëm të autorëve.
Eri është vëllai i Ndue Zefit, i cili jo më larg se në shkurtin e këtij viti vrau fqinjin e tij Martin Ndreca, në Durrës pas një sherri banal. Kjo ngjarje dhe mundësia e një hakmarrje është dhe një nga pistat ku po heton policia.