Elona Kana, bashkëshortja e nënkryetarit socialist të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba, përballet mesditën e së Mërkurës për herë të dytë me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, pasi ky institucion rrëzoi kërkesën e saj për përjashtimin e relatores së trupës së Vetingut, Xhensila Pine.
Kana, një ndihmëse ligjore në Gjykatën e Lartë, kërkoi përjashtimin e Pines nga trupa gjyqësore në seancën e kaluar (3 Tetor), me argumentin se “komisionerja është e zgjedhur politikisht nga Partia Demokratike dhe, për këtë shkak, ka reflektuar qëndrim të njëanshëm gjatë procesit të rivlerësimit, për të goditur politikisht bashkëshortin, Denar Biba”.
Një tjetër trupë e KPK-së ka shqyrtuar kërkesën proceduriale të Kanës dhe ka vendosur të mos e pranojë. Ky vendim lexohet në faktin se Kana do të përballet sërish me të njëjtën trupë gjykuese, të kryesuar nga Olsi Komici, relatore Xhensila Pine dhe anëtare Suela Zhegu.
Në seancën e kaluar, subjekti Elona Kana la të kuptohet se procesi i rivlerësimit ka nxjerrë një seri problematikash, sidomos në kriterin e pasurisë. Sipas saj, ky rezultat negativ ka ardhur për shkak të “njëanshmërisë së relatores Pine”, e cila nuk ka marrë në konsideratë një raport financiar të dorëzuar prej saj.
“Boldnews.al” ka raportuar më herët mbi pasurinë e bashkëshortëve Denar Biba dhe Elona Kana, ku konstatohen pasuri të shumta, me burim financiar të dyshimtë, si edhe tre apartamente në pronësi të tyre, njëri prej të cilëve dhuratë. Nga Boldnews.al