Në fundvit pensionistët, shtresat në nevojë apo buxhetorët nuk do të marrin shpërblime. Kjo të paktën sipas aktit normativ të qeverisë për ndryshimet në buxhet, që u miratua edhe në komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave.
Megjithëse gjatë diskutimeve, deputetët propozuan përcaktimin e një fondi për dhënien e shpërblimeve në fund të vitit, veçanërisht për pensionistët dhe shtresat në nevojë, një gjë e tillë nuk u pranua.
Pak ditë më parë, Kryeministri Edi Rama në një takim me oligarkët, foli për fondin e solidaritetit, duke u kërkuar atyre që 2 % të dividentit të tyre, të përdorej për të varfërit.
Rama e konsideroi këtë nismë në kuadrin e Shqipërisë solidare, ndërsa ministrja e Financave Anila Denaj, tha se në muajt në vijim, qeveria do të bëjë një vlerësim lidhur me një gjë të tillë.
Gjithsesi në qeverisjen e Edi Ramës, kjo nuk është hera e parë që mungon shpërblimi për shtresat në nevojë apo pensionistët, të cilëve u janë akorduar shuma që variojnë nga 3-5 mijë lekë.
Akti Normativ i buxhetit 2019 ka ulur parashikimet për të ardhurat që do të vijnë nga tatimet e doganat me 10 milionë dollarë, ku goditjen më të madhe e jep Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, raporton TV Klan.
Megjithatë ruhen balancat e defiçitit dhe borxhit publik, sipas parashikimeve fillestare. Qeveria ka shtuar fonde për Bulevardin Verior të Tiranës dhe rehabilitimin e lumit të Lanës, si dhe përshpejtimin e punimeve për By Pass-in e Fierit.
Në bazë të tabelës së buxhetit, detyrime të prapambetura në infrastrukturë rezultojnë të jenë 62 milionë dollarë, fonde të cilat ende nuk janë buxhetuar.