Lidhje të forta me kombin shqiptar, Meta vlerëson mendimtarin amerikano - izraelit

Premte, 18 October 2019 12:00

Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh” amerikano - izraelitin Ichak Adizes, i cili ka lidhje të forta me kombin shqiptar.

Në një status në Facebook, kreu i shtetit thotë se Historia e Ichak Adizes është një nga qindra histori të hebrenjve që gjatë Luftës së Dytë Botërore gjetën strehim në Shqipëri.

Presidenti Meta: Pata sot kënaqësinë të vlerësoja me Titullin “Mjeshtër i Madh” një personalitet të shquar amerikano - izraelit, profesor, autor i shumë librave, konsulent i shquar biznesi dhe mendimtar me përmasa botërore, me kontribute të çmuara akademike për zhvillimin e konsolidimin e demokracisë në Europën Lindore, Dr. Ichak Adizes, i cili ka një lidhje të fortë me kombin shqiptar.

Historia e Tij është një nga qindra histori të hebrenjve që gjatë Luftës së Dytë Botërore gjetën strehim në Shqipëri dhe që me shumë guxim, fisnikëri dhe dashuri u mbrojtën nga populli shqiptar, me një virtyt të jashtëzakonshëm njerëzor që nderohet edhe sot jo vetëm nga familjet e shpëtuara dhe shteti i Izraelit por edhe nga e mbarë bota dhe historia.

Gjatë karrierës së Tij të gjatë Dr. Adizes ka dhënë një kontribut të çmuar në fushën e menaxhimit dhe të psikologjisë njerëzore, duke nxitur përgjegjshmëri të thellë, përkushtim, ekuilibër dhe fleksibilitet.

I lumtur të merrja dhuratë edhe librin e Tij të parë të përkthyer në shqip “Menaxhimi i cikleve të jetës së korporatave”, që mezi po pres ta lexoj..

Login to post comments