CPJ: Gjatë një dekade në botë janë vrarë 318 gazetarë

Tuesday, 29 October 2019 21:02

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve tha të martën se mosndëshkimi për vrasjen e gazetarëve është edhe më tej, në masë të madhe, normë në më shumë se një duzinë vendesh me shkallë të lartë të krimit, me konflikte ose korrupsion.

Studimi i organizatës me titullin “Si t’ia hedhësh me vrasjen”, u publikua të martën në prag të ditës ndërkombëtare për dhënien fund të mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve, që shënohet me 2 nëntor.

Raporti thekson se gjatë dekadës së fundit, 318 gazetarë janë shënjestëruar dhe vrarë për shkak të punës së tyre gjithandej botës. Rreth 243 autorë krimesh ia hodhën pa u dënuar.

“Mosndëshkimi në shkallë të gjerë, dërgon mesazhin tek ata që synojnë të vrasin gazetarët se mund t’ia hedhin”, tha se Elana Beiser, nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve. “Kjo dërgon edhe një mesazh frikësues te gazetarët dhe mund t’i çojë ata drejt vetë censurës, për shkak të drojës për jetën e tyre, gjë që do të lerë publikun në errësirë”.

Trembëdhjetë vende përfshijnë më shumë se tre të katërtat e të gjitha vrasjeve të pazgjidhura të gazetarëve në nivel global. Lista kryesohet nga Somalia për të pestin vit me radhë. Vendi, i cili po lufton terroristët e grupit militant al-Shabaab, ka 25 vrasje të pazgjidhura të gazetarëve.

Siria, Iraku, Sudani Jugor dhe Filipinet rrumbullakojnë pesë vendet e para ku këto krime kalojnë të pandëshkuara.

“Në shumicën e rasteve, mungojnë hetimet e mirëfillta", tha Beiser. "Korrupsioni, institucionet e dobëta dhe mungesa e vullnetit politik janë faktorët që çojnë në mosndëshkim”.

Komiteti përmendi pritën vdekjeprurëse për një grup prej 58 personash që përfshinin 32 gazetarë dhe punonjës të mediave në Ampatuan, Maguindanao në nëntor 2009, si arsye për përfshirjen e Filipineve në indeksin e mosndëshkimit. Masakra e motivuar politikisht çoi në numrin më të madh të vrasjes së gazetarëve në një incident të vetëm në botë.

Nga 197 personat e akuzuar për vrasjet brutale, 97 janë në burg, nëntë janë lënë të lirë dhe 80 veta janë në arrati. Procesi gjyqësor përfundoi në korrik dhe portali Rappler në Filipine citoi sekretarin e Drejtësisë të ketë thënë në muajin gusht se vendimi mund të dalë para 23 nëntorit, kur mbushen dhjetë vjet nga vrasjet.

Meksikoja që është vendi më vdekjeprurës për gazetarët gjatë këtij viti kur janë vrarë pesë gazetarë, ka shënuar rritje të shkallës së mosndëshkimit çdo vit. Ajo mban vendin e shtatë në treguesin e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Raporti ngre shqetësimet se rajonet që dikur konsideroheshin të sigurta për mediet, tash po shohin dhunë ndaj gazetarëve. Raporti përmend vrasjen e gazetares në Maltë në vitin 2017 dhe atë të gazetarit sllovak më 2018. Askush nuk është dënuar për këto raste.

Login to post comments