Vrau babë e bir në Elbasan, ekstradohet nga Italia 28 vjeçari. Emri

E mërkurë, 06 November 2019 08:39

Një 28-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar. Mësohet se Etjen Çani është autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur më datë 15.08.2012, në qytetin e Elbasanit, ku janë vrarë me armë zjarri babë e bir, shtetasit Gentian dhe Nezir Beqirin.

Ja njoftimi zyrtar:

Një tjetër i kërkuar bie në pranga, falë bashkëpunimit të Interpol Tirana me homologët.

Kapet në Itali dhe ekstradohet drejt Shqipërisë 28-vjeçari nga Elbasani, i kërkuar për vrasje.

Specialistët e Interpol Tirana bënë ekstradimin nga Milano, Itali drejt vendit tonë të shtetasit shqiptar E. C. 28 vjeç, banues në Elbasan.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Z.Q.K Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese, në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Shtetasi E. C. është autori i dyshuar i ngjarjes së ndodhur më datë 15.08.2012, në qytetin e Elbasanit, ku janë vrarë me armë zjarri babë e bir, shtetasit G. B. dhe N. B.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.

***

 

Ai dyshohet për një nga vrasjet më të bujshme në qytetin e Elbasanit, në vijim të një kalvari ekzekutimesh mes dy grupesh rivale në këtë qytet.

Në gusht të vitit 2012 u vranë me armë zjarri Gentian Beqiri dhe babai i tij.

Gjykata e kishte lënë Beqirin në arrest shtëpie, nën mbikëqyrjen e policisë. Por kjo nuk e pengoi autorët që të futen në banesë dhe ta ekzekutojnë Beqirin në gjumë.

Në atë kohë fillimisht u tha se babai i viktimës, dëshmitar i vetëm i ngjarjes, pësoi atak kardiak dhe vdiq një orë pas ngjarjes, pasi nuk mundi ta përballojë traumën që i shkaktoi vrasja e të birit.

Por më pas Prokuroria sqaroi se babai kishte vdekur si pasojë e plagëve të marra.

Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “Qemal Stafa” të Elbasanit.

Viktima Gentian Beqiri, apo siç njihej ndryshe me emrin Ardian Meta, ndodhej në arrest shtëpie prej rreth 2.5 vitesh, pasi dyshohej si i implikuar në vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, në vitin 2005.

Viktima, 40 vjeç, kishte më shumë se 6 vjet që ishte thuajse i paralizuar, pasi në tentativë për t’i shpëtuar policisë, u hodh nga një lartësi e konsiderueshme në Komisariatin e Sarandës, ku ai ishte arrestuar gjatë një tentative për të kaluar kufirin.

Pak para se të ndodhte krimi, nëna e viktimës ka dalë për të bërë pazar. Ka qenë pikërisht ky moment i shfrytëzuar nga autorët, të cilët duket se kishin menduar mjaft mirë edhe dialogun që do të bënin me policinë, në mënyrë që të arrinin të futeshin pa telashe në banesën e shënjestrës së tyre.

Modifikuar më E mërkurë, 06 November 2019 08:53
Login to post comments