Sot diskutohet plani ‘Macron’/ Ja çfarë kërkon Gjermania

Tuesday, 19 November 2019 09:24

Ministrat e Europës në BE pritet të mblidhen sot për të diskutuar në lidhje me një dokument informal, të prezantuar nga Franca, ku parashikohet se si do të shkojë procesi i zgjerimit.

Në parim, rruga që parashikon Franca, do e bëjë procesin e integrimit më të vështirë. Mediat gjermane thonë se do jetë si një vrapim me pengesa. Por në fund, vendet e Ballkanit Perëndimor do pranohen në BE.

Megjithatë nuk dihet nëse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do marrin dritën jeshile sipas këtij projekti francez.

Me interes pritet qëndrimi i Gjermanisë. Në një reagim për Dojçe Velen, ministria e Jashtme gjermane thotë se ka një kusht.

“I njohim sugjerimet e qeverisë franceze për reformën e zgjerimit të BE-së. Ne jemi të hapur për të diskutuar për përmirësimin e procedurave te zgjerimit për sa kohë që kjo nuk vonon çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e  Veriut,” thuhet në përgjigjen e ministrisë së Jashtme.

“Ministri i Jashtëm Maas e konfirmoi këtë edhe gjatë vizitës së tij në Maqedoninë e Veriut, të mërkurën e kaluar. BE tani duhet të mbajë fjalën e saj, sepse kushtet për fillimin e negociatave janë përmbushur. Vazhdimi i politikës së suksesshme të pranimit në BE dhe një zhvillim i qëndrueshëm afatgjatë i Ballkanit Perëndimor janë në interesin tonë strategjik", përfundon deklarata.

Login to post comments