Grabitja në Rinas/ Zbulohen dy shuma parash, kujt iu gjetën

Tuesday, 19 November 2019 09:44

Pas grabitjes spektakolare në Rinas ku u morën miliona euro, strukturat e hetimit po vijojnë të kërkojnë paratë e grabitura.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për “BalkanWeb” se policia i ka gjetur shumën prej 5 mijë eurosh shtetasit Elton Pikli, që është një prej të arrestuarve, si autor i dyshuar i super-grabitjes. Ndërkohë, një shumë tjetër i është gjetur babait të Renaldo Sulës, edhe ky i arrestuar për grabitjen.

Paratë e gjetura kanë rezultuar se i përkasin një prej bankave të nivelit të dytë

Prokuroria për Krimet e Rënda ka zgjatur me tre muaj afatin e hetimit për grabitjen e 9 prillit 2019 në Rinas, ku persona të armatosur dhe maskuar mundën të vjedhin gati 6 milionë euro brenda pistës së aeroportit.

Kërkesa për shtyrje të afatit është argumentuar nga prokurorët me nevojën e kohës shtesë për kryerjen e disa veprimeve hetimore, mes të cilave analiza krahasuese të gjurmëve të ADN-së të gjetura në furgonin e grabitësve me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”, si edhe analizimi i të gjithë tabulateve telefonike të personave të dyshuar si të përfshirë në ngjarje.

Të arrestuarit Oltion Veseli, Renaldo Sula dhe Elton Pikli nuk kanë qenë dakord me zgjatjen e afatit. Ata e kanë ankimuar në Gjykatën për Krimet e Rënda, ku kërkesat penale në fjalë pritet të shqyrtohen në 19 nëntor.

Ndërkohë, për llogari të këtij hetimi, gjykata ka lejuar pak ditë më parë prokurorinë t’i marrë një profil gjenetik të paraburgosurit Oltion Veseli, për analiza ADN-je. Në seancat e kaluara, ai ka kundështuar të japë mostër pështyme, me pretendimin se i është marrë një e tillë në polici menjëherë pas arrestimit.

Deri më tani, policia ka arrestuar 7 persona për grabitjen e 9 prillit në Rinas dhe ka shpallur në kërkim tre të tjerë, mes të cilëve edhe 31-vjeçari Klement Çala. Një prej autorëve të grabitjes, Admir Murataj, mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë.  

Login to post comments