Pasi u rezistoi për muaj me radhë sinjaleve negative që vinin fillimisht nga shifrat e paralajmërimet e bizneseve dhe më pas, nga institucionet ndërkombëtare që rishikuan pritshmëritë e tyre për rritjen, qeveria u detyrua të dorëzohej. Ministrja e Financave e pranoi gjatë një fjale në Parlament se rritja ekonomike për vitin 2019 ishte rishikuar në ulje nga 4.3 % në fillim të vitit në 3.4 %. Shifër që gjithsesi mbetet optimiste, kur për 6-mujorin e parë, performanca nuk ishte më shumë se 2.3 % dhe kur të tre institucionet ndërkombëtare, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim nuk e presim zgjerimin ekonomik më shumë sesa 3 % këtë vit.
Kjo zbritje me këmbë në tokë erdhi pas rezultateve të dobëta të të ardhurave buxhetore për 9-mujorin dhe sidomos, hartimit të buxhetit të ri për vitin e ardhshëm. Për 9-mujorin, të ardhurat janë rritur me 4.2 %, por mbeten 7.8 miliardë lekë më pak se plani. Efektin kryesor në mosrealizim e ka Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, kryesisht nga TVSH e brendshme, e lidhur me përjashtimin nga TVSH të nënkontraktorëve të gazsjellësit TAP, që gjithsesi tregoi varësinë e ekonomisë nga një projekt i vetëm.
Nëse do të përjashtonim efektin e uljes së dividendit nga 15 në 8 % me efekt prapaveprues, që nxiti një shpërndarje masive të fitimeve të matura dhe rritjes së taksave vendore nga lejet e shumta të ndërtimit, atëherë zgjerimi real i të ardhurave do të ishte zero dhe mosrealizimi i planit do të rezultonte të paktën dyfish. Tetori pritet të testojë kapacitetin real të rendimentit fiskal, pasi tashmë është ezauruar efekti i uljes së dividendit (afati për shpërndarjen e fitimeve të mbartura me normë të reduktuar ishte 30 shtatori), ndërsa TVSH, që sjell një të tretën e të ardhurave në buxhet, do të vijojë të mbetet e dobët.
Ndonëse u pranua (nga halli) ngadalësimi i ekonomisë, sërish buxheti 2020 tentoi të fshihte situatën, përmes parashikimit optimist të të ardhurave, në rreth 503 miliardë lekë, ose 15 miliardë lekë më shumë se plani fillestar i vitit 2019. Por, në raport me pritshmërinë reale të këtij viti, që nuk po ecën aspak sipas planit, të ardhurat janë parashikuar të jenë 30 miliardë lekë më të larta, duke e bërë atë praktikisht të parealizueshëm, nisur nga historiku i realizimit të buxhetit faktik të viteve të mëparshme.
Rritja e barrës së taksave nga viti 2014 (tatimfitimi dhe ai mbi të ardhurat nga 10 % u bënë 15 %, taksa e ndikimit në infrastrukturë u dyfishua, u rrit dhe akciza për disa produkte) nuk arriti të prodhonte një buxhet më të fortë. Të ardhurat kanë mbetur në rreth 27.7 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto (nga 27 % në vitin 2008), ndërsa Banka Botërore, në raportin e fundit, e vlerësonte Shqipërinë me barrën më të lartë fiskale në rajon (36.6 % e fitimeve shkojnë për taksa), në nivel të njëjtë me Serbinë, por kjo e fundit mbledh të ardhura sa 40 % e PBB-së!
Ndërsa nuk i shpëtoi tendencës për të fryrë rritjen dhe për të mohuar realitetin në kahun e të ardhurave, qeveria ishte më e kujdesshme në shpenzime, në një sinjal real që gjërat nuk janë aq mirë sa mundohen të na thonë. Me gazsjellësin TAP që po shkon drejt fundit dhe investimet e reja që janë minimale, burimet e rritjes mbeten të kufizuara, çka paralajmëron një situatë të vështirë me të ardhurat. Ndryshe nga vitet e mëparshme, qeveria nuk po ndihet as për shpërblimet e pensionistëve në fund të këtij viti (akti i parë normativ nuk e përmendte këtë, ndonëse po punohet për një ndryshim tjetër të tij). Në buxhetin e vitit të ardhshëm, zëri për politika të reja pagash është zero. Rritja e pagave, në fakt, është një element i rëndësishëm i nxitjes së konsumit, por vitet e fundit, ato thjesht sa janë indeksuar me inflacionin (në vitin 2018, rritja e pagave në administratën shtetërore ishte 2 %, ndërsa në privat 4 %).
Shpenzimet kapitale janë një tjetër zë pesimist i buxhetit. Ato parashikohen me një rënie prej 4.2 % në raport me planin e këtij viti. Në fakt, politikat e reja të pagave dhe shpenzimet kapitale janë të parat që priten (po jo ato për koncesione ama), kur në kahun tjetër, atë të të ardhurave, gjërat nuk ecin ashtu siç parashikohet. Pagat e administratës, shpenzimet administrative të përditshme, mbulimi i skemës së pensioneve, interesat e borxhit, pagesat e papunësisë e ndihmës ekonomike janë të domosdoshme për t’u kryer.
Ndaj me uljen e shpenzimeve kapitale dhe mosrritjen e pagave, qeveria e pranoi indirekt që ky është një buxhet krize. Një politikë e përgjegjshme shpenzimesh, që do t’i shpërndante ato në projekte me eficiente, çlirimi i ekonomisë nga barra administrative, lufta ndaj informalitetit tek evazorët e mëdhenj do t’i jepnin pak frymëmarrje për të përballuar vitin e vështirë që na pret./MONITOR