Një koncert për të ndihmuar Shqipërinë e goditur nga tërmeti.
Enzo Ghinazzi, i njohur me emrin e artit Pupo, është ndër të parët nga këngëtarët italianë që përcjell mesazh në Instagram e Twitter për popullin shqiptar,
‘Kam punuar në Shqipëri dhe kam njohur forcën, besnikërinë, bujarinë e popullit shqiptar. T’i bëjmë ta ndjejnë gjithë miqësinë e afërsinë tonë në këtë moment të tmerrshëm’, shkruan këngëtari.
I pyetur më pas nga Corriere di Arezzo, Pupo thotë se është i gatshëm ‘për çdo iniciativë serioze profesionale në mbështetje të Shqipërisë. Si personale, ashtu edhe me kolegët e tjerë’.
‘Jam gati të jap një koncert dhe të gjitha të ardhurat të shkojnë për atë popull me të cilin jetova gjashtë muaj’.
Eksperienca e Pupos në Shqipëri ka qenë pesë vjet më parë, kur pranoi ofertën e Agon Channel, në nëntor 2014.
‘Kam qenë gjashtë muaj atje dhe ishte fantastike. U njoha me shqiptarë, kulturën e tyre, traditat. I thashë po sipërmarrësit Francesco Becchetti dhe udhëtoja shpesh mes Italisë e Tiranës, ku ishin studiot. Drejtoja disa lojëra dhe në fund, kur ishim afër Krishtlindjeve, organizova një darkë të madhe për gjithë trupën që përbëhej nga rreth 100 persona’.