Haradinaj ofron strehë për të dëmtuarit nga tërmeti, hap ish-kampin ushtarak gjerman

E mërkurë, 27 November 2019 19:18

Parku Inovativ Trajnues në Prizren, do të jetë në dispozicion si strehë e përkohshme e të gjithë atyre që kanë pësuar nga tërmeti tragjik që goditi Shqipërinë.

Qeveria e Kosovës së bashku me Ambasadën Gjermane në Prishtinë, zyrën e GIZ-it në Kosovë dhe Komunën e Prizrenit, kanë nisur përgatitjet e nevojshme për pranim-strehim, kujdes shëndetësor dhe ushqimor në Parkun Inovativ dhe Trajnues.

"Deri në 800 shtretër dhe hapësira akomoduese do të jenë në dispozicion për banorët që kanë pësuar nga kjo tragjedi.Si Kryeministër në detyrë menjëherë kam vendosur komunikim me institucionet përgjegjëse shtetërore në Shqipëri për të koordinuar hapat e mëtejmë për zbatim të këtij aksioni" njoftoi Ramush Haradinaj.

Prej të martës, në Shqipëri po operojnë Forcat e Sigurisë së Kosovës për nxjerrjen e personave të mbetur nën gërmadha, ndërsa pasditen e sotme presidenti Thaçi inspektoi zonat e prekura nga tërmeti në Thumanë e Durrës.

Vlen të theksohet se edhe reagimi i qytetarëve dhe bizneseve të Kosovës ka qenë tejet i lavdërueshëm me mbledhjen e ndihmave dhe donacioneve monetare.

Login to post comments