Në raste të katastrofave si kjo e tërmetit të 26 nëntorit, natyrisht pritet kaos.
Por qëllimi i qeverisë është që të vendosë rregull. Zakonisht gazetarët dhe opinioni publik janë mësuar se ngrihet një Shtab Emergjence dhe dikush del e përditëson me informacion rregullisht njerëzit.
Analisti Armand Shkullaku, tha për ABC News se është një mishmash.
“Kaosi vazhdon. Para se të hyja në studio më mori në telefon Dukagjin Lipa, babai i këngëtares Dua Lipa. Donte të bënte një donacion monetar, por nuk e dinte se ku ta bënte pasi online janë 50 linqe. Edhe ky fakt tregon se ka kaos”, tha Shkullaku.
Më tej ai solli të tjera argumente të keqmenaxhimit të ndihmave humanitare.
“Qeveria nuk arriti dot të ngrejë në kohë një Shtab Emergjence mes Durrësit dhe Thumanës. Duhet një autoritet zyrtar që del çdo një orë dhe raporton për strehimin, për ndihmat, etj. Duhen persona me emra konkret që po merren me këtë punë. Kryeministri del në vende të ndryshme, bën foto dhe jep gjoja intervista kalimthi… Kjo është nën efektet e propagandës dhe jo punë reale. Unë kam ndjekur ABC Neës dhe kam parë njerëz që nuk dinin ku të drejtoheshin për ndihmat. Ndihma ka, por nuk ka organizim! Më kujtohet në 1999 shtabi i Ushtrisë Italiane. Kishte një shtab dhe një gjeneral që ndiqte gjithë operacionin humanitar”, u shpreh Shkullaku.