Të shumta janë rastet që raportohen për banesa të dëmtuara në Durrës dhe në gjithë perimetrin ku lëkundjet e tërmetit janë ndjerë fuqishëm.
Në Shkozet të Durrësit, banorët thanë se përpos vështirësisë që kanë për të përballuar gjendjen e frikës, dhe panikut ndaj tërmeteve, kanë patur probleme edhe në dhënien e ndihmës nga autoritetet e emergjencave civile.
Disa banorë të Shkozetit thanë për ABC News se, janë duke jetuar në rrugë, dhe nuk kanë marrë asnjë lloj ndihme. Ndërkohë në banesë nuk mund të hyjnë për shkak të dëmtimeve të shumta që kanë marrë shtëpitë e tyre.
Ata thanë se përveç banesave kanë humbur edhe bizneset e tyre. Edhe pse ata kanë njoftuar autoritetet e komunës së tyre, për dëmtimet në banesa, askush nuk ka ardhur ti shohë, dhe ti vlerësojë ato a janë të banueshme apo jo.
Të pyetur nga gazetarja e ABC News Glidona Daci, se nëse kanë marrë ndonjë ndihmë, këto ditë që kanë mbetur jashtë, ata thanë për abcnews.al se, askush nuk i ka ndihmuar, madje as ushqime nuk janë shpërndarë për ta.
“Sonte do të qëndrojmë jashtë, ishim dy ditë te çadra askush aty nuk na siguroi asgjë. Të nesërmen na thanë do ikni në Kosovë. Pastaj as nuk janë interesuar fare për ne. Në çadër s’mund të rrinim, ishte lagështirë, as batanije nuk na dhanë”.
Përse nuk ju dhanë, përse nuk ju kanë dhënë ushqim, ndihmat kanë qenë të bollshme?
“Ndihma janë të bollshme por nuk kemi marrë gjë. I kanë marrë ata që i leverdisin, kanë marrë nga 50 batanije dhe i shesin në treg”.
Vetëm një pjesë kanë marrë ndihmë?
“Po, ne nuk kemi marrë asnjë ndihmë. E pyetëm Kryetaren e Komunës se ku do shkojmë sot, na tha që ishte duke folur me biznesmenët por s’ka asnjë tha”.
A jeni ankuar?
“Jo nuk jemi ankuar se ndihma për ata që janë të fuqishëm dhe janë të zotë, nuk jemi ankuar se është e kotë nuk është se do na dëgjojë njeri, nuk gjen zgjidhje në asnjë vend”.
Ndërsa shohim dy fëmijët e kësaj familje kuptojmë që lodhja dhe frika u lexohet në sy. Aurora vogëlushja 8 vjeç na tregon se e ka marrë malli për shtëpinë dhe se do të kthehet sa më shpejt atje.
A kalove mirë te çadra, a ju sollën lodra atje?
“Jo nuk kishte lodra, na sollën vetëm molto dhe çokollata”.
Çfarë lojërash luanit te çadra dy ditë që ishit atje?
“Asgjë, luaja me vëllain”.
Çfarë dëshiron në këto momente?
“Dua të shkoj te shtëpia që kisha, kam lodrat e mia dhe librat e shkollës. Edhe babi ka gjërat e veta”.
Kjo tragjedi pas tërmetit të 26 nëntorit, ka prekur më së shumti, nga ana psikologjike, edhe fëmijët, ku duhet një asistencë e jashtëzakonshme, ndoshta për të plotësuar traumën që ata kanë pësuar por jo vetëm. Problem ende ka mbetur keqmenaxhimi, dhe mos organizimi i situatës, për strehimin dhe ushqimin e këtyre familjeve, të cilët ende nuk e kanë një zgjidhje./abcnews.al