Një apel i fortë ka ardhur për Shijakun nga një vazjë, e cila shprehet se ka dëmtime në banesën ku jetojnë prindërit e saj. Xhulia Tahiri kërkon që shteti të kthejë sytë edhe nga familja e saj, pasi deri më tani ashtu siç tregon ajo, nuk ka shkuar askush për të parë gjendjen në banesat e dëmtuara nga tërmeti. Kështu rrezikohen shumë banesa të tjera tregon Xhulia, jo vetëm banesa e saj.
Reagimi i plotë i vajzës
“Dua të ndaj me ju një shqetësim jo më të madh se të tjerët por që po na dëmton psikologjikisht nga dita në ditë tashmë.
Në Shijak, lagjen Dushk, deri më sot nuk ka shkuar asnjë këmbë nga ndonjë organ i shtetit për t’i parë. Unë personalisht jetoj në Tiranë por prindërit aty. Pavarësisht lutjeve që ata të ikin nga aty, sepse shtëpia është e pabanueshme, ata këmbëngulin të qëndrojnë aty sepse do presin shtetin çfarë t’i thonë ata.
Unë dua t’ju lutem, t’ju përgjërohem, ashtu siç kam bërë me kryetarin e bashkisë, me policinë, me prefektin e Durrësit por që nga ata kam marrë vetëm përgjigje mospërfillëse, ju lutem të vendosni dorën në zemër dhe ta shikoni pak dhe qytetin e Shijakut dhe lagjen Dushk.
Ju lutem të bëni diçka për t’i përshpejtuar dhe dërgimin e këtij ‘shteti’ prindërve të mi të cilët akoma futen brenda në shtëpi dhe sonte jam e sigurt që për të 5-ën natë do flenë brenda në makinë. Nëse atyre i ndodh diçka, kush do mbajë përgjegjësi? Shteti që nuk erdhi apo unë që nuk i binda dot të largohen?
Ndihemi të gjithë të dëshpëruar, e di sepse si prindërit e mi në këto momente ka me qindra të tjerë…Por të paktën na ndizni pak shpresat…Po ju dërgoj dhe disa pamje të shtëpisë”, shkruan Xhulia Tahiri.