Tragjedia e shumë familjeve që u përballën me tërmetin rezultoi të ishte deri diku e paralajmëruar. Shumë banesa u shpallën të pabanueshme pas tërmetit të 21 shtatorit, por askush nuk mori masa që këta banorë të mos ju riktheheshin, për te vazhduar një jetë normale.
Pallati në Thumanë ishte një prej tyre, në të cilën u shua tërësisht një familje, shumë të tjera me radhë gjithashtu. Të tjera banesa “brenda garancisë” rezultojnë të jenë riparuar me shpejtësi nga investitorët për të shmangur përgjegjësit. Pa kriter e masë, u krijua ndër vite një masakër urbane e cila më shumë gjasë do të përballojë të tjera tragjedi.
Këto indice duhet të shërbenin që organi i akuzës, të niste “kryesisht” hetimin e shpejtë, e të thelluar, duke dorëzuar përpara drejtësisë përgjegjësit. Një grup i posaçëm me në krye shefen e akuzës duhet të këqyrte nga afër pasojat e këtyre veprimeve të rënda, duke vlerësuar përgjegjësit e secilit prej inxhinierëve, zbatuesve, ndërtuesve, kryebashkiakëve e të të gjithëve me radhë, të cilët përligjen ndër vite këtë katrahurë urbane. Por edhe këtë herë prokuroria heshti, edhe pse ligji ja përcakton këtë si detyrim.
Prokuroria do të “flasë” të hënën, ku pritet të nisë mbledhja e të gjithë dokumentacionit të ndërtimeve të prishura dhe ato të dëmtuara. Pas tërmetit të 26 nëntorit, në media u fol për cilësinë e ndërtimeve në Tiranë dhe Durrës. Ndërkohë, për pallatet e shembura familjarë të viktimave raportuan se ishin bërë të pabanueshme që pas tërmetit të shtatorit.