Disa shprehje abstrakte si “cënimi i besimit tek publiku” dhe “pamjaftueshmëri burimesh financiare”, të përdorura shpesh nga organet e Vetingut për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pritet të shqyrtohen nga Gjykata e Strasburgut, e cila ka regjistruar së fundmi çështjen “Antoneta Sevdari kundër Shtetit Shqiptar”.
Prokurorja Sevdari, gjithashtu anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, u shkarkua në Shkurt 2019 nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA), pasi ajo ishte konfirmuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK).
KPA, shkalla e dytë e Vetingut, konkludoi se Sevdari duhej shkarkuar, për shkak se ajo kishte “pamjaftueshmëri burimesh për pasurinë” e saj, si edhe kishte “cënuar besimin e publikut tek drejtësia.
Shkak për këtë vendim shkarkimi u bë, kryesisht, mungesa e dokumentacionit të pagimit të taksave nga bashkëshorti i prokurores, me profesion inxhinjer, në vitin 1997, në një vend jashtë Shqipërisë dhe në një kohë kur ata nuk ishin të martuar.
Gjykata e Strasburgut, e cila ka pranuar ankimin e prokurores Antoneta Sevdari në 29 Korrik 2019, shtron pyetjen: “A e parashikon ligji i brendshëm, siç interpretohet nga institucionet e vettingut, kritere për përcaktimin e ekzistencës së “zbulimit të pamjaftueshëm të pasurive” ose sjellje të aftë për “minimin e besimit të publikut në sistemin e drejtësisë” si arsye për largimin nga detyra e prokurorëve?”
Në 8 pyetje që Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut (gjykata e Strasburgut) kërkon nga shteti shqiptar të dhëna për rastin “Sevdari”, përfshihen çështje që tejkalojnë një rast të vetëm dhe prekin thelbin e Vetingut, një proces i shumë-kontestuar në Shqipëri.
Si matet “cënimi i besimit të publiku”?
Në një komunikatë zyrtare të datës 22 nëntor 2019, Gjykata e Strasburgut ka publikuar pyetjet që i ka dërguar shtetit në çështjen “Antoneta Sevdari kundër Shqipërisë”.
Një ndër pyetjet që “Strasburgu” kërkon përgjigje nga Shtetit Shqiptar është: “Cila ishte baza, në të cilën Kolegji i Posaçëm i Apelimit zbuloi se sjellja e përgjithshme e aplikantit (Antoneta Sevdari) kishte minuar “besimin e publikut në sistemin e drejtësisë”?
Është interesante për t’u parë përgjigja e shtetit shqiptar, në një kohë që e gjithë paketa e Reformës në Drejtësi përmend “cënimin e besimit të publikut” nga gjyqtarët e prokurorët, por ndërkohë nuk ka asnjë mekanizëm konkret për matjen e “besimin e publikut”.
Ligji për “Rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve” (Veting), në nenin 61 të tij, parashikon se subjektet shkarkohen kur: “rezulton se ka deklaruar më shumë se dyfishi i pasurisë së ligjshme; kur rezulton me probleme serioze gjatë kontrollit të figurës; dhe kur rezulton si i papërshtatshëm në aftësitë profesionale”.
Por, përtej këtyre 3 formave për shkarkimin, ligji i Vetingut parashikon edhe një tjetër: Subjekti shkarkohet “Në rast se nga vlerësimi tërësor rezulton se subjekti i rivlerësimit ka cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë”.
Ndërkohë që për tre kriteret e para të shkarkimit, vendimi i strukturave të Vetingut bazohet në të dhëna konkrete, në pikën e katërt, pra në “cënimin e besimit”, vlerësimi është subjektiv. Pikërisht, për këtë “subjektivizëm”, Gjykata e Strasburgut kërkon më shumë të dhëna nga Shteti Shqiptar, për të konstatuar se si realizohet në praktikë ky vlerësim.
Çfarë është “Pamjaftueshmëri burimesh”?
Legjislacioni shqiptar, përfshirë edhe atë mbi Vetingun, ka parashikuar se, një subjekt rivlerësimi shkarkohet kur: “ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë; ka kryer fshehje e pasurisë; ka kryer deklarim i rremë; (ligji i Vetingut, neni 33, pika5)”.
Ligji, në asnjë rast, nuk e përmend termin “pamjaftueshmëri burimesh financiare” dhe, rrjedhimisht, as parashikimet se si kontatohet diçka e tillë.
Pikërisht, për termin abstrakt “pamjaftueshmëri burimesh”, Gjykata e Strasburgut kërkon një përgjigje nga Shteti Shqiptar, me qëllim që të shqyrtojë drejtë dhe plotësisht ankimin e prokurores Sevdari.
Çështje të tjera
Gjykata e Strasburgut i ka dërguar Shtetit Shqiptar 8 pyetje, përfshirë disa nënpyetje, pas ankimit të Antoneta Sevdarit. Një pjesë janë “standarte”, të cilat janë përdorur edhe për aplikime të gjyqtarëve dhe prokurorëve të tjerë shqiptarë.
Por, ndërkohë, në shqyrtimin e rastit “Sevdari”, Gjykata e Strasburgut kërkon të dhëna edhe mbi ligjin e debatuar “Për Avokatinë”, në të cilin parashikohet se gjyqtarët e prokurorët e shkarkuar nga Vetingu nuk mund të ushtrojnë funksionin e Avokatit.
“A e ndalon Ligji ‘Për Avokatinë”, (ligji nr. 55/2018) që aplikanti të ushtrojë ligjin si avokat, për shkak të largimit të saj nga detyra? Nëse po, për sa kohë?”, pyet “Strasburgu”, duke e pranuar në këtë mënyrë ta konsiderojë këtë çështje si rast që përfshihet në të drejtat e njeriut.
Po ashtu, një çështje tjetër që “Strasburgu” kërkon shpjegime nga Shteti Shqiptar është fakti nëse janë shqyrtuar dyshimet për mos-plotësimin e kritereve të emërimit për anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Pak kohë më parë, Antoneta Sevdari kërkoi zyrtarisht nisjen e procedimit disiplinor për dy anëtarë të trupës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, për të cilët kishte të dhëna dokumentare se nuk plotësonin kriteret ligjore për të mbajtur detyrën. Kërkesa e Sevdarit nuk u shqyrtua nga asnjë institucion shtetëror shqiptar.
Ankimi i prokurores Sevdari i bashkohet edhe mbi 10 aplikimeve të tjera, nga gjyqtarë e prokurorë shqiptarë, të cilët kanë kundërshtuar vendimin e shkarkimit për llogari të Vetingut në Gjykatën e Strasburgut.