Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë i është drejtuar me një thirrje Kryeministrit Edi Rama p♪7r të mos prekur pagën e 13, por PPP-të dhe shpenzimet e luksit.
“Vendimi i qeverisë shqiptare për të mos akorduar pagën e 13 në fundvit për punonjësit e administratës shtëtërore më argumentin se këto para do të përdoren për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit vlerësojmë se është më shumë propagande se sa zgjidhje.
Përpara se të prekte fondin për pagën e 13 për punonjësit e administratës publike, që është ndër më të të keqpaguarat në Evropë, qeveria shqiptare duhet të anullonte ndonjë prej koncensioneve që po rrënojnë buxhetin e shtetit”, thuhet në reagimin e sindikalistëve.
Sipas tyre, koncensionet janë sot problemi kryesor i ekonomisë vendit dhe po varrosin çdo vit buxhetin e shtetit në gropën financiare të shkaktuar nga mungesa e përgjegjësisë.
“Shumë bashki nga jugu ne veri kanë lëvruar miliona lekë për zbukurimet e fundvitit, e qeveria në vend që të parandalonte këto shpenzime luksi vendos të anulojë pagën e 13.
Mesa duket pronarët e bizneseve që zbukurojnë qytetet tona e kanë dorëzuar me kohë “kafen” në bashkitë përkatëse dhe sa kohë Rama nuk është kujtuar të bëjë shembull ndonjë bashkiak, qytetet do zbukurohen dhe shpenzimet në ekonomitë e brishta të familjeve shqiptare do rëndohen.
Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë i kërkon qeverisë të rishikojë vendimin e saj për të anulluar dhënien e pagës së 13 për administratën publike.
Shumë prej punonjësve të administratës vijnë nga familje të shtresës së mesme dhe janë me të ardhura të pakta dhe nuk kishte qeveria asnjë arsye të ndalte pagën e 13.
Janë çdo vit miliona euro që shkojnë për shpenzime zyrash, makina luksoze udhëtime e dieta, ku qeveria mund të jetë me e përgjegjeshmë për monitorimin e shpenzimeve dhe anullimin e prokurimeve që janë në proces.
Tërmeti i 26 nëntorit është një fatkeqësi të cilën të gjithë shqiptarët me në krye shtetin duhet ta përballojnë me përgjegjësi maksimale dhe jo me vendime meskine në dëm të shtresave dhe kategorive të ndryshme”, thuhet në reagimin e Konfederatës së Sindikatave.