Konviktet në rrezik/ Dy fakte një vit pas protestës studentore

E Enjte, 12 December 2019 09:57

Pas tri godinave në Qytetin Studenti dhe të dhjetë bujtinat në Universitetin Bujqësor të Tiranës, për të cilat është marrë vendimi për t’u shembur, radhën duket se e kanë konviktet pranë Universitetit të Mjekësisë. Dy prej tyre rezultojnë të mos e kenë kaluar klasën pas tërmetit që dëmtoi qindra pallate, kryesisht të vjetra, në kryeqytet. Ekspertizat e para janë bërë tashmë, por pa një vendim definitiv nëse këto godina janë apo jo të banueshme.

Përpara ekspertizës finale, është kërkuar që studentët të zbrazin godinat, me qëllim për të bërë një vlerësim më të detajuar në brendësi. Shqetësimi është bërë publik nga studentët, të cilët kanë paguar për një vit të plotë dhe tashmë duhet të gjejnë mjedise alternative strehimi deri në përfundimi e vitit akademik.

Një vit më parë, studentët dolën në rrugë për të protestuar masivisht. Një nga kërkesat e tyre lidhej me konviktet në gjendje të mjerueshme.

Tërmeti nxorri në pah dy fakte.

E para, tregoi se kërkesa e studentëve ishte e drejtë, pasi konviktet ishin edhe në gjendje të rrezikshme.

E dyta, tërmeti tregoi se edhe një vit pas protestës, qeveria dhe Pakti për Universitetin ishin një fiasko e madhe. Konviktet janë sërish në gjendje skandaloze dhe të rrezikshme.

Login to post comments