Mëngjesin e djeshëm, në Lushnjë u gjet i ekzekutuar në lokalin e tij një ish-anëtar i bandës famëkeqe të Lushnjes. Viktima është Enver Boriçi, 52 vjeç. Vëllai i tij, Arben Boriçi, i njohur si “killeri” i Aldo Bares, po vuan dënimin me burgim të përjetshëm në Burgun e Peqinit.
Ndërsa personi që u ekzekutua dje, dikur ishte hetuar e gjykuar si pjesë e së njëjtës bandë, megjithatë deri dje në mëngjes ishte i lirë. Enver Boriçi u ekzekutua në lokalin e tij, që ndodhet në lagjen “Kadri Gjystri”, në Lushnjë. Ai u gjet i pajetë, i ulur në karrige, rreth orës 07:45.
Burimet thanë se Boriçi dyshohet se ka qenë duke pirë kafe në lokalin e tij, kur një person i maskuar është afruar drejt tij dhe e ka qëlluar për vdekje me një plumb në kokë. Fillimisht, kanë qenë fqinjë që banonin pranë lokalit, ata që kanë dyshuar se diçka ka ndodhur, pasi kanë dëgjuar të shtënën e armës dhe kanë parë dikë të maskuar të largohet me shpejtësi. Kjo ka rritur dyshimet e banorëve, të cilët janë vënë në lëvizje për të parë çfarë ka ndodhur e më pas kanë lajmëruar Policinë.
Burimet thanë se në ngjarje dyshohet të kenë marrë pjesë tre persona, që më pas janë larguar me makinë. Fillimisht makina ka ndaluar pranë lokalit ku ndodhej Boriçi. Nga mjeti ka zbritur një person i maskuar që është futur brenda dhe ka qëlluar me plumb në kokë 52- vjeçarin.
Më pas, ai është larguar duke hipur në makinën që e priste jashtë dhe të tre të dyshuarit janë “zhdukur” me shpejtësi. Policia ende nuk ka një emër të dyshuar për ekzekutimin e tipit mafioz që ndodhi dje në Lushnjë, por hetimet janë përqendruar, pikërisht në konfliktin e madh të bandave të vitit ’97.
Ky konflikt vit pas viti ka marrë jetë njerëzish, duke bërë që familjet e dy bandave rivale të shkojnë drejt shuarjes. Enver Boriçi, i cili mbeti i vrarë mëngjesin e djeshëm, ishte baba i dy fëmijëve. Ndërsa lokali ku ndodhi ngjarja, ishte burimi i vetëm i të ardhurave për të siguruar jetesën e familjes.