“Fiks Fare” transmetoi mbrëmjen e kësaj të marte rastin e përmbaruesit Artan Sima, i cili shkel ligjin dhe gjobit gabimisht plot dy herë babain e 3 fëmijëve, pa vendim gjykate. Gjoba prej 300 mijë lekësh është justifikuar nga Sima si një lapsus, apo gabim njerëzor.
Shuma e mësipërme është detyrimi që nëna duhet të paguajë për fëmijët, në bazë të vendimit të gjykatës.
Në “Fiks Fare” u ankuan 3 fëmijë të moshës 21, 17 dhe 14 vjeç, të cilët banojnë në qytetin e Korçës. Ata janë braktisur nga e ëma para 5 viteve. Prindërit e tyre ligjërisht janë ndarë rreth 2 vite e gjysmë më parë.
Gjykata ka vendosur që të 3 fëmijët, vajza dhe dy djemtë, të qëndrojnë nën kujdestarinë e babait dhe detyron nënën të paguajë pension ushqimor 8.000 lekë në muaj.
Po sipas vendimit të gjykatës, nëna ka të drejtë të takojë fëmijët dy herë në muaj. Sipas fëmijëve, marrëdhëniet me nënën e tyre nuk kanë qenë të mira.
“Ajo më ka përzënë nga shtëpia, ndërsa motrën e ka rrahur, i ka nxjerrë gjak nga hundët”, tregon djali 17-vjeçar para kamerës së Fiksit. Ndërsa e motra, 14 vjeç, thotë se është rrahur nga nëna edhe në ambientet e shkollës.
Që pas marrjes së vendimit të gjykatës, në dhjetor të vitit 2015, mamaja e fëmijëve nuk e ka shlyer pensionin ushqimor. Për këtë arsye ka ndërhyrë përmbaruesi, e në fillim të këtij viti i është bërë sekuestro konservative e pagës.
E gjendur para këtij fakti, mamaja ka vajtur pranë përmbaruesit Artan Sima, që ndiqte çështjen, dhe ka deklaruar që babai i pengon fëmijët që ta takojnë atë. Pas kësaj ankese, në adresën e babait kanë vajtur dy vendime të përmbaruesit, ku nga kreditor, babai i 3 fëmijëve del debitor. Madje, me një vlerë prej rreth 300 mijë lekësh.
Sipas vendimit të gjykatës, që mban datën 23 dhjetor 2015, e paditura, nëna e fëmijëve ka të drejtë për të takuar fëmijët dy herë në muaj. Por, në vendimin e përmbaruesit, ku përcaktohet edhe masa me gjobë ndaj babait, citohet një tjetër referim i urdhrit të ekzekutimit dhe vendim gjykate që mban datën 07 nëntor 2016.
Të gjendur në këto kushte, babai me hallën e fëmijëve shkojnë pranë përmbaruesit gjyqësor Artan Sima, për t’u ballafaquar.
Gjatë këtij ballafaqimi, përmbaruesi pretendon se ky është një lapsus i bërë nga ai dhe se nuk ka vendim.
“Është vetëm një gabim njerëzor”, i drejtohet ai hallës së fëmijëve, e cila vazhdon t’i citojë që vendimi mbi të cilin ai ka vendosur gjobën nuk është vendimi i gjykatës së ndarjes së prindërve.
Ditën e nesërme, në zyrën e përmbaruesit u bë një ballafaqim mes mamasë, babait dhe 3 fëmijëve. Në sy të mamasë dhe te përmbaruesi, të 3 fëmijët deklaruan se nuk i pengon askush të takojnë nënën e tyre, por ata vet nuk duan.
Gjithashtu ata këmbëngulin se mamaja i ka përzënë, madje edhe i ka qëlluar, sidomos vajzën e vogël 14-vjeçare, që sipas vëllait i ka nxjerrë gjak nga hundët. I gjendur në kushte të tilla, përmbaruesi Sima shprehet se do të analizonte shkaqet dhe se kush kishte të drejtë, e më pas fajtorin do ta çonte për ndjekje penale.
Gazetarët e Fiksit intervistuan edhe përmbaruesin Artan Sima, i cili thotë se nuk i ka vendosur gjobë babait dhe se babai nuk ka asnjë detyrim ndaj studios. Vendimet kanë qenë një lapsus, formular tip të Ministrisë së Drejtësisë për tarifat, apo gabim njerëzor.
Sipas tij, e vetmja debitore është mamaja e fëmijëve, edhe pse sipas shkresave babai është debitor.
Gjithashtu sipas tij, ankesa nga nëna ka ardhur pasi ajo është gjendur para urdhrit të ekzekutimit për mbajtjen e pensionit. Vetëm pas kësaj, ajo ka bërë një kërkesë për shlyerje detyrimi. Më parë ajo s’ka bërë asnjë ankesë të tillë.