Viti që po lëmë pas nuk ishte aspak i paqtë për shqiptarët. Që në ditën e dytë të vitit 2019 krimi i dyfishtë tronditi Ballshin ku burri vrau gruan dhe kunatën. Më pas kjo ngjarje u pasua me te tjera krime për drogë, hakmarrje, përplasje bandash e motive te dobëta.
68 persona humbën jetën si pasojë e krimit. Vetëm 2 vrasje janë cilësuar nga hetimet si të ndodhura nga pakujdesia ndërsa 57 të tjerat kanë ndodhur me dashje.
Krimi nuk kurseu as njerëzit e drejtësisë. Një avokat u ekzekutua në një lokal në Elbasan, një prokurori i bënë atentat në mbikalimin e Shkozetit në Durrës ndërsa në Vlorë, një tjetër prokurori i hodhën makinën në erë ndërsa ishte e parkuar.
Më 22 mars të vitit që lamë pas në një lokal në Elbasan iu bë atentat avokatit të njohur Ravik Gurra, i cili humbi jetën në vend. Avokati është qëlluar me një pistoletë me silenciator nga një person i maskuar, i cili më pas është larguar me një automjet tip “Benz”. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:35, në qendër të Elbasanit. Ravik Gurra, 50 vjeç, ishte ulur në verandën e lokalit bashkë me dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve avokat, kur është qëlluar për vdekje. Autori dyshohet se i është afruar pa u diktuar nga askush dhe e ka qëlluar dy herë në kokë. Pista kryesore mbi të cilën po heton policia dhe prokuroria është ajo e vrasjes për shkak të detyrës pasi avokati ka mbrojtur personazhe të njohur të botës së krimit si Emiljano Shullazi dhe anëtarë të familjes Çapja. 9 muaj pas kësaj ngjarje policia ende nuk ka asnjë të dyshuar për ngjarjen.
Më 1 nëntor në mbikalimin e Shkozetit në Durrës iu bë atentat makinës së prokurorit Arjan Ndoja, i cili udhëtonte me shoferin e tij Andi Maloku dhe një personazh të njohur për konfliktet e tij me pronat në zonën e gjirit të Lalzit Pëllumb Muharremi, i cili njihet edhe me emrin Rrumi. Nga breshëritë e plumbave derdhur mbi makinën e prokurorit të 3 personat që udhëtonin me të mbetën të plagosur dhe disa ditë me vonë shoferi Andi Maloku humbi jetën. Për ngjarjen në pranga momentalisht është Redjan Raja i cili dyshohet të ketë pasur rol kyç në këtë ngjarje. Identifikimi i tij u arrit pas analizimit të provave të grumbulluara nga grupi i hetimit në mjetin e atentatorëve i cili u gjet i braktisur pranë varrezave të fshatit Shkafane.
Më 21 dhjetor në Vlorë, shumë pranë qendrës së qytetit u hodh në erë me lëndë plasëse makina e prokurorit Albert Kuliçi, ndërkohë që ishte i parkuar në rrugë. Mjeti tip “Volkswagen” pësoi dëmtime të shumta. Pista kryesore ku po hetohet është ajo për shkak të detyrës. Albert Kuliçi është prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së parë Vlorë dhe njihet për hetimin e një sërë dosjeve të bujshme, si ajo për tokat në bregdetin e Zvërnecit. Lidhur me ngjarjen reagoi Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Policia e Shtetit, teksa për kreun e Gjykatës së Vlorës kjo ngjarje ka për qellim presionin ndaj togave të zeza për ngjarje që kanë të bëjnë kryesisht me pronat.
Në ngjarjet kriminale të këtij viti spikatën edhe vrasjet të cilat vinin si rezultat i përplasjes së bandave në disa qytete si në Shkodër, Vlorë, Fushë-Krujë dhe Lushnjë.
Vlora gjatë 2019 e humbi vëmendjen e qytetit bregdetar duke u përmendur më shumë për ngjarjet kriminale sesa për turizëm. Më 12 shkurt iu bë atentat me armë zjarri 42-vjeçari Armando Sulejmani, i njohur ndryshe si “Çipuri’, por plumbat i morën jetën kunatit dhe shokut të tij, përkatësisht Orest Rexho dhe Arian Hasani. “Çipuri” ngeli i plagosur nga atentati, ndërkohë që aktualisht ndodhet në burg, pasi ishte në kërkim nga policia si një prej organizatorëve dhe pjesëmarrësve të sulmit të armatosur në tetor të vitit 2017, ku mbetën të plagosur Ferdinand Llanaj, djali i tij i mitur dhe i afërmi i tij Dritan Begaj.
Shkodra prej kohësh nuk po gjen paqe. Më 30 mars u vranë në derë të shtëpisë Brahim dhe Astrit Bilali, të dy vëllezër përkatësisht 61 dhe 59 vjeç. I dyshuar kryesor i këtij krimi të rëndë në Shkodër është Ibrahim Lici, i cili është parë në ikje e sipër me një automjet tip “Golf 4” me ngjyrë të zezë. Të përfshirë në këtë vrasje ishin edhe Arsen Stojku dhe Myslim Rama të cilët aktualisht janë në burg. Plani për ekzekutimin e vëllezërve Bilali dyshohet të jetë bërë në familjen Lici, pasi i arrestuari Stojku rezulton të jetë djalë teze me Mustafa, Sokol dhe të ndjerin Fatbardh Lici. Vrasja e tyre erdhi si vijim i një përplasjeje të gjatë. Në muajin shtator të vitit 2018, kur u vra mbi kalë biznesmeni Arjan Ferracaku, bashkë me të ishte edhe Asmer Bilali, djali i Astrit Bilalit. Asmeri, ish-kampion boksi është i arrestuar tashmë si pjesë e grupit Bajri për gjobëvënie dhe trukim ndeshjesh. Pas vrasjes së Ferracakut, u pretendua se shënjestra e atentatit ishte Asmeri.
Ashpërsia e krimit ka arritur në atë nivel që nuk kursen as pragun e shtëpisë dhe as femrat. Më 21 shtator në mbrëmje kur i gjithë vendi ishte ende nën ethet e tërmetit të rënë atë pasdite, në Nikël në derë të shtëpisë iu bë atentat Mareglen Hakas, i njohur si “I forti i Niklës”. Nga breshëria e plumbave ai mbeti i plagosur ndërsa halla e tij Shpresa Basha humbi jetën. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për hasmëri, pasi Haka është arrestuar për vrasjen e biznesmenit të kromit, Nadien Zeneli, ngjarje e ndodhur më 13 qershor 2011 në Tiranë. Mareglen Haka njihet edhe për lidhjen me familjen Bami. Ishte Valter Bami, vëllai i Durim Bamit, një nga eksponentët e fortë të krimit, ai që e shoqëroi për në Spitalin e Traumës pas plagosjes.
Edhe Lushnja e ka humbur qetësinë, pasi një seri vrasjesh kanë ngjallur konfliktet e bandave të dikurshme. Më 1 tetor 2019, u vra me breshëri kallashnikovi nga dy persona të maskuar në verandën e lokalit ku po pinte kafenë e mëngjesit, daja i Zamir Latifit, Besmir Hida. Menjëherë pas krimit të rëndë, dy autorët u larguan nga vendngjarja me një automjet të vjedhur në Tiranë, i cili u gjet i djegur pak orë pas vrasjes. Ka dyshime se ekzekutimi është kryer nga të njëjtët persona që ekzekutuan nipin e Hidës. Për atë ngjarje ende në kërkim janë Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili të cilët janë pjesë e grupit rival të bandës së të fortit të Lushnjës, Aldo Bare.
3 muaj më vonë Lushnja do të tronditej nga një tjetër ekzekutim. Më 14 dhjetor u gjet i vrarë në lokalin e tij Enver Boriçi, 52-vjeç, ish-anëtari i bandës së Lushnjës, i njohur edhe si vëllai i krahut të djathtë të Aldo Bares, Arben Boriçi, i cili aktualisht vuan dënimin me burgim të përjetshëm.
Vendi u trondit edhe nga një seri vrasjesh mafioze të cilat ndodhën në derë të shtëpisë dhe në ambiente të populluara.
Më 30 janar të 2019, kryeqyteti u trondit nga vrasja mafioze e ish-punonjësit të policisë Arben Bilali, në zonën e Selitës. Ai u ekzekutua me breshëri shumë pranë banesës ku jetonte me familjen e tij. 50-vjeçari, është i treti në familje që ekzekutohet në harkun e 20 viteve, pasi më herët i janë vrarë edhe dy vëllezërit, Bujar dhe Leonard Bilali. Familja Bilali është prej vitesh në hasmëri me një tjetër familje kriminale në zonë, gjë e cila ka prodhuar disa viktima. I vetmi person që ka mbetur në burg për vrasjen e Bilalit është Arben Xhetani i cili dyshohet se ka siguruar mjetet për të kryer vrasjen si edhe ka vëzhguar lëvizjet e viktimës. Në pranga ra edhe Gjergj Cukali, të cilin policia e arrestoi bazuar në ADN-në e gjetur në makinën e ekzekutorëve por i “forti i Myslym Shyrit”, mundi të rifitojë lirinë.
Më 18 mars zona pranë sheshit “Willson” në kryeqytet u tronditën nga breshëria e plumbave më cilët i morën jetën 26-vjeçarit Jurgen Kurti, në derën e pallatit të tij. Kurti ishtë një personazh shumë i përfolur si nga shoëbizi ashtu edhe nga konfliktet e tij me ligjin.
Për ngjarjen u arrestuan si autorë tre të rinjtë Olsi Qalliaj, Elsi Levendi dhe Alesio Berberi, të cilët u akuzuan se ishin paguar 250 mijë euro nga Klodian Bane i cili është në kërkim. Por pas zbardhjes së tabulateve, Qalliaj dhe Berberi u lanë të lirë, ndërsa Levendi vijon të jetë pas hekurave, pasi akuzohet të ketë qenë ai personi që ka luajtur rolin e informatorit dhe ka vëzhguar Kurtin.
Më 20 mars, në fshatin Grudë në Shkodër u ekzekutua në atentat Ferdinand Polia, 35 vjeç, i njohur si biznesmen dhe pronar i disa prej bujtinave turistike në Theth. Ai u ekzekutua me armë zjarri me silenciator, teksa ishte duke u kthyer nga servisi i makinave, ku kishte riparuar automjetin e tij fuoristradë dhe po udhëtonte bashkë me Xhovan Mirashin, punonjësin e servisit. Vetëm pesë ditë pas ngjarjes ranë në pranga Gilbert Toma, Kleandro Toma dhe Alfred Martini, të cilët janë lënë në burg nga gjykata. Dëshmia e tyre zbardhi emrin e autorit, Kristian Sulaj (Martini). Ai u ekstradua më 13 shtator nga Danimarka ku fshihej prej muajsh dhe tashmë ndodhet në burg. Motivi për ngjarjen e rëndë dyshohet të ketë qenë e kaluara e errët e Ferdinand Polisë, në Itali ku 35-vjeçari rezulton të ketë qenë i përfshirë në disa aktivitete kriminale, madje edhe i dënuar nga Gjykata në Itali.
Më 2 tetor në Zall Xhuxhë të Mirditës u gjet i vrarë Eri Zefi. 34-vjeçari ishte ngujuar prej një viti dhe i ruhej një gjakmarrjeje të mundshme pasi i vëllai, Ndue Zefi në muajin shkurt të këtij viti vrau fqinjin e tij Martin Ndreca. Në lidhje më këtë ngjarje, është arrestuar Mikel Alia, shok fëmijërie i viktimës i cili dyshohet se e ka nxjerrë në pritë.
Droga vijon të sjellë konflikte të ashpra që lenë pas shumë viktima. Edhe përgjatë këtij viti ka pasur shumë vrasje të cilat kanë ndodhur për prishje të pazareve të drogës në Shqipëri apo edhe jashtë saj.
13 ditë pasi ishte zhdukur, më 19 shkurt gjendet i vrarë brenda mjetit të tij, Sokol Rama. Prishja e pazareve të drogës dyshohet të jetë shkak i vrasjes së 32-vjeçarit nga bashkëpunëtori i tij në këtë aktivitet kriminal, Roland Milo, i cili tani ndodhet pas hekurave.
Droga dyshohet të jetë shkak edhe për atentatin e 27 majit në Poro të Vlorës ku iu bë atentat Eno (Aleksandër) Matës. Nga ky sulm ai mbeti i plagosur por plumbat i morën jetën shokut të tij Sotiraq Mëhilli.
Mbrëmje e 31 qershorit në Peqin iu bë atentat dy vëllezërve Baho ku njëri prej tyre Klevi Baho, mbeti i vrarë ndërsa vëllai tjetër, Aldo Baho, u plagos rëndë. Shkak për ngjarjen dyshohet të jenë konfliktet për drogë.
Më 1 gusht në Durrës në derë të shtëpisë u ekzekutua Feriz Bardhi. 40-vjeçari rezulton se është i skeduar edhe më herët nga Policia e Shtetit pasi është arrestuar në vitin 2012 si pjesë e trafikut të drogës drejt Italisë.
Po në derë të shtëpisë u ekzekutua edhe 47-vjeçari Nikola Ikonomi, i njohur ndryshe nga banorët e zonës si Dilaver Tozaj më 7 gusht në fshatin Selenicë të Vlorës. Në vitin 2005 Ikonomi rezulton të jetë arrestuar për trafik drogë. Ai ishte pjesë e një grupi kriminal që po trafikonin 1145 kg kanabis nga Kakavija.
Më 12 gusht në Mirditë u ekzekutua në mjetin e tij Armando (Tonin) Gjini. 48-vjeçari që njihej edhe si ushtari i bandës së Met Kananit u ekzekutua në qendër të Rrëshenit teksa po priste bashkëshorten e tij të kthehej nga marketi. Dy pistat ku policia po heton për vrasjen e 48-vjeçarit janë prishja e pazareve të drogës dhe marrëdhënia me anëtarët e grupit të Kananit të cilët dyshohet se kishin filluar të dyshonin për viktimën, që u lirua shumë shpejt nga burgu. Ndërkohë ende nuk ka asnjë të arrestuar.
27 gushti nuk do të harrohet lehtë për banorët e rrugës “Xhanfize Keko” të cilët panë se si u ekzekutua në një atentat ish-polici Santiago Malko. Megjithëse rruga ishte me mjete dhe këmbësorë atentatorët e tij qëlluan me breshëri drejt mjetit “BMW X5” dhe u larguan nga zona vetëm kur u bindën se 26-vjeçari kishte ndërruar jetë. Malko njihej në botën e krimit si një prej njerëzve më të afërt të Ervis Martinaj. Pas këtij ekzekutimi mafioz dyshohet se janë anëtarë të “Klanit Duka”, të cilët tashmë janë të shpallur zyrtarisht në kërkim nga Policia e Shtetit. Leonard Duka; Erlis Duka, Ilir Selmani, Oltian Loga, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica janë ende në kërkim nga policia. Në pranga ka rënë vetëm Blendi Teta, i cili u identifikua nga filmimet e kamerave të bizneseve pranë vendit të krimit, ku shihej që mblidhte bishtat e cigareve për të mos lënë asnjë gjurmë.
Droga dyshohet të jetë shkak edhe për vrasjen e 10 tetorit në Kavajë ku humbi jetën Dritan Haxholli, i cili u ekzekutua nga shefi i sigurisë së brendshme në burgun e Durrësit Bledar Toçi. Ngjarja u regjistrua në banesën e 30-vjeçares Marsida Qatja. Fillimisht u dyshua se ngjarja kishte ardhur si pasojë e xhelozisë, ndërsa hetimet zbuluan se pas çështjes fshiheshin pazaret e drogës. Për këtë krim pas hekurave janë Bledar Toçi dhe vëllai i tij Bernard Toçi.
Më 13 dhjetor në Peqin pranë rrugës nacionale iu bë atentat Andi Zylyfi, i cili kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga emigrimi për të festuar festat e fundivitit me familjarët e tij. Plumbat kapën edhe shokun e tij Ardit Uruçin, i cili mundi t’i shpëtojë atentatit. Viktima është djali i hallës së Endrit Alibeaj, bosit të drogës, i cili u ekzekutua me armë zjarri më 30 dhjetor të vitit të shkuar. Bashkë me të u eliminuan edhe kushëriri i Alibeajt, 56-vjeçari Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Durunay, 51 vjeç.
Fatkeqësisht në raportimet për vrasjet e 2019 është dashur të raportohen edhe viktima të cilët e humbën jetën pa pasur asnjë faj. Dy persona, njeri në Kavajë e tjetri në Tiranë u vranë me armë zjarri pa pasur asnjë konflikt dhe asnjë precedent penal.
Më 4 korrik në Kavajë humbi jetën si pasojë e përplasjes mes 2 grupeve kalimtari i rastit Ramazan Hasanlliu, i cili u vra sapo kishte blerë bukë. Për këtë krim pas hekurave ndodhen Eraldo Hyka, Qazim Merkja, Ardian Dedej dhe Marjus Aliu, ndërsa në arrest shtëpie është Agron Kollçaku.
Më 22 gusht në Tiranë humbi jetën i riu Indrit Çelaj, i cili punonte si teknik kondicioneri. Ai prej ditësh punonte në vilën e familjes Kusi dhe pas një mosmarrëveshjeje për cilësinë e punimeve u vra me plumb në kokë nga Griseldo dhe Alban Kusi, të cilët pas disa muajsh iu vetëdorëzuan drejtësisë.
Për ish-drejtuesin e policisë Arben Hajdarmatan situata e rendit në Shqipëri nuk është në kushtet optimale dhe sipas tij kjo vjen për disa arsye ku më kryesorja është përdorja e policisë për punë të institucioneve të tjera dhe inkriminimi i saj.
Por, pavarsisht se numri i vrasjeve të ndodhura gjatë 2019 është më i lartë se një vit me parë për ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj treguesit e rendit janë në nivelet më të mira historike.
Krimit nuk i shpëtoi as qeliza bazë e shoqërisë, familja. Gjatë këtij viti ka pasur 14 vrasje në familje ku burri vrau gruan, djali nënën dhe nipi gjyshin. Ndër motivet më të hasura të krimit ka qenë xhelozia. Por nuk munguan as konfliktet për pronën dhe për paratë. Për sociologun Gezim Tushi një ndër arsyet është ndryshimi i tipologjisë së familjes shqiptare, si edhe problemet ekonomike dhe përdorimi i lëndëve psikotrope, pa anashkaluar dhe mentalitetin tradicional që sjell konflikte mes brezash.
Krimi ka lindur me njerëzimin dhe nuk pretendojmë që të jetojmë në një shoqëri ku vrasjet të jenë në nivel zero, por urojmë që në 2020 shqiptarët të arsyetojnë më shumë dhe zgjidhjen të mos e gjejnë tek thika, armët dhe tritoli por tek komunikimi dhe nëse ky është i pamundur në dyert e drejtësisë.
(m.k/BalkanWeb)