Pas njoftimit nga pala greke ne piken e kalimit Kufitar Kapshticë, mjetet e tonazhit të rëndë kanë shmangur doganën e Kapshticës, duke përdorur pikat e tjera të kalimit kufitar me Greqinë, deri në normalizimin e situatës.
Moti i paqëndrueshëm, me reshje bore që përfshiu qarkun e Korçës, e kanë bërë të pamundur lëvizjen e mjeteve të tonazhit të rëndë në këtë pikë kufitare, pasi prezenca e akullit dhe e ngricave do të dominojë gjatë këtyre dy ditëve.
Ndërkohë, përsa ju përket auto-veturave dhe autobusëve, ata shprehen për gazetaren Lorena Kodra për Neës24 se janë informuar mbi njoftimin e policisë kufitare dhe se janë të pajisur të gjithë me zinxhirë, të cilat do t’i përdorin në rastet e nevojshme.
Nga ana tjetër, fluksi i madh i mjeteve është bërë i dallueshëm që prej mbarimit të festave me largimin e emigrantëve drejt shtetit grek.
Edhe pse ka pasur fluks, drejtuesit e mjeteve thonë se falë punës së policisë kufitare është bërë e mundur lëvizja e mjeteve të tyre, duke mos krijuar pritje të gjata.
Gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë 3527 shtetas dhe kanë dalë 5515 shtetas.