Australia këto ditë po përballet me zjarre të mëdha, lidhur me situatën e shtetasve kosovar që jetojnë atje Ministria e Punëve të Jashtme është në kontakt të përditshëm me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Australi, dhe informohet për sigurinë e stafit diplomatik dhe të shtetasve kosovarë, pas zjarreve që kanë kapluar disa zona të këtij kontinenti, me përmasat e një fatkeqësie të madhe natyrore.
"Sipas të dhënave që Ambasada e Republikës së Kosovës ka nga komunitetet shqiptare në shtete të ndryshme të Australisë, gjendja e shtetasve të Kosovës në përgjithësi është jashtë rrezikut. Sigurisht, edhe shtetasit kosovarë, si të gjithë australianët, përjetojnë pasojat jo të lehta të tymit të dendur që është mjaft kanosës për jetën. Kjo është gjendja e sotme, por duhet të mbahet parasysh se rrethanat mund të përkeqësohen. Në ditët në vijim, duke qenë se në Australi është kulmi i verës, domethënë mot me temperatura të larta, pritet që gjendja e rrezikut të vazhdojë edhe më tutje", i kanë thënë RTKlive nga MPJ.
"Ambasadës tonë atje i është sugjeruar marrja e masave konform zhvillimeve, me porosi të qartë: Siguria e stafit është mbi të gjitha! Prandaj, i mbetet Ambasadorit dhe stafit të tij për të vlerësuar gjendjen dhe për të marrë masat e duhura në bashkë punim me institucionet australiane, përfshi edhe zhvendosjen në zona të sigurta të Australisë", thanë nga MPJ.
"Në Canberra është shpallur gjendje alarmi/ vigjilence, e cila është një hap afër gjendjes së jashtëzakonshme. Ajri i ndotur është shumë i rrezikshëm për shëndetin. Për rrjedhojë, Canberra këto ditë është shpallur edhe kryeqyteti më i ndotur në botë. Kualiteti i ajrit, AQI, ka shkuar në 4700 AQI, pra është 20 herë më e lartë se norma e pranueshme" thonë në MPJ.
Ambasada e Republikës së Kosovës ka blerë maska dhe pajisje tjera emergjente për stafin e saj, dhe është në kontakt të vazhdueshëm mesvete, për të raportuar zhvillimet dhe shkëmbyer informata: "Ministria e Punëve të Jashtme e Australisë në anën tjetër ka krijuar një grup në Whatsapp për të qenë në kontakt të vazhdueshëm me ambasadat e huaja në këtë vend dhe për të njoftuar mbi situatën. Eshtë krijuar edhe faqja në Internet e njoftimeve emergjente për Territorin e Kryeqytetit Australian. Janë dhënë numrat telefonik për kontakte emergjente, ndërsa njësitë e zjarrfikësve janë në mbikëqyrje të vazhdueshme."