U qëllua 150 metra larg policisë, çfarë tha pas ngjarjes i riu

Premte, 17 Janar 2020 12:29

Një 23-vjeçar është plagosur me armë zjarri orët e para të së enjtes, në vendin e quajtur “Shatërvani”, në Elbasan.

I plagosuri

Kei Piu është gjetur i plagosur nga Policia, ndërsa është transportuar në spital jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:15 pas mesnate, ndërsa Piu, në momentin që u qëllua, ishte duke ecur i vetëm në rrugë.

Autorët nuk janë identifikuar ende, ndërsa mësohet se ishin të maskuar në momentin kur qëlluan ndaj të riut. Kei Piu, pyetjes së Policisë se kush e ka qëlluar, i është përgjigjur me fjalët se “më qëlloi një person, të cilin nuk e njoh”. Aksioni i Policisë ka qenë i menjëhershëm pas plagosjes së të riut me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve. Menjëherë është bërë krehja e zonës ku dhe ka ndodhur ngjarja dhe janë shoqëruar e marrë në pyetje më shumë se dhjetë persona, të cilët mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Sakaq, mësohet se Policia po vijon kërkimet dhe hetimet për të zbardhur plagosjen e 23- vjeçarit, i cili, falë ndihmës së shpejtë mjekësore, fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën në Spitalin Kirurgjik të Elbasanit. Pak kohë më parë, sipas burimeve të Policisë, 23-vjeçari është ndaluar nga kjo e fundit, pasi akuzohej për veprën penale “Tregtim të lëndëve narkotike”, por kjo akuzë nuk rezultoi e tillë dhe i riu u la i lirë.

Çfarë tha policia

Në deklaratën zyrtare për mediat, Policia deklaron se: “Rreth orës 01:15, në lagjen ‘Luigj Gurakuqi’, Elbasan, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit K. P., 23 vjeç, banues në Elbasan, i cili si pasojë është plagosur dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Njëkohësisht vijon administrimi i çdo prove sado të vlefshme, që çon në zbardhjen e ngjarjes. Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar disa persona për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Vijon krehja e zonës dhe nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se nuk ka pasur shkëmbim me armë zjarri mes palëve.

Ende nuk ka një rrethanë të qartë rreth ngjarjes, dhe Policia ende nuk ka hedhur ndonjë dyshim për këtë ngjarje. 23- vjeçari ka marrë tre plumba në bark. Ai i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në Spitalin e Elbasanit. Ndërkohë, Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë përreth zonës ku ndodhi ngjarja për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve. Deri më tani, uniformat blu kanë shoqëruar në komisariat disa persona, të cilët mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Kush është i plagosuri

Sipas burimeve nga grupi hetimor, ngjarja dyshohet se ka qenë një atentat i mirëfilltë ndaj 23-vjeçarit, i cili figuron me precedentë penalë. Qëllimi i atentatit ka qenë eliminimi i 23-vjeçarit, por një incident me armën e autorëve ka bërë që ai të shpëtojë mrekullisht. Mësohet se personat që kanë qëlluar, kanë qenë me maska e kallashnikov, por u ështe bllokuar arma pas gjuajtjes së dytë.

Atentati i djeshëm është i ngjashëm me skemën e disa krimeve të kryera gjatë muajve të fundit në Elbasan e Peqin. Atentati dyshohet të ketë lidhje me ngjarje të tjera kriminale të mëparshme dhe ka si motiv prishjen e pazareve të drogës. I riu u gjet i plagosur nga Policia dhe u transportua në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërkohë që janë disa të shoqëruar.

Login to post comments