U shpallën ‘non-grata’, anti-Terrori përcjell në Rinas dy diplomatët iranianë

Diel, 19 Janar 2020 09:30

Dy diplomatët iranianë të shpallur ‘non grata’ të padëshiruar nga qeveria shqiptare, mbrëmjen djeshme në limitet e afatit të vendosur (72 orë) janë larguar përmes aeroportit të Rinasit në drejtim të Turqisë.

Diplomatët e dëbuar janë Mohamed Peimanemati, që ishte këshilltar i tretë i Ambasadës së Iranit në Tiranë dhe Seyed Ahmad Hosseini, atashe kulturor i Iranit në Shqipëri.

Sipas Report tv struktura e Antiterrorit në policinë e shtetit ka ndjekur të gjithë procedurën deri në ngritjen e avionit me dy iranianët brenda, pasi sipas informacioneve nga shërbimet partnere, dy diplomatët që u dënuan mund të mos respektonin urdhrin e dëbimit

Nga hetimet e shërbimit informativ shqiptar dhe Antiterrorit rezultoi se dy iranianët edhe pse me status diplomati kryenin veprimtari agjenturore duke ngritur grupe pune për të marrë informacione sekrete duke shkelur ligjnin. Vendimi u mor nga qeveria shqiptare tre ditë më parë, ndërsa u përshëndet edhe nga SHBA-ja.

Në dhjetor të vitit 2018, Shqipëria dëboi ambasadorin e Iranit në vendin tonë, Gholamhossein Mohammadnia, për cenim të sigurisë kombëtare. Po ashtu u dëbua dhe u shpall “non grata” edhe një diplomat tjetër i ambasadës iraniane, Mostafa Roudaki.

Ish-ambasadori akuzohej edhe nga muxhahedinët (anëtarë të opozitës iraniane) që jetojnë në vendin tonë, si agjent i shërbimeve sekrete iraniane duke ngritur vazhdimisht shqetësimin se jeta e tyre ishte në rrezik nga veprimtaria agjenturore e Iranit në Shqipëri.

Në Shqipëri janë strehuar mbi 3 mijë muxhahedinë iranianë (opozita), që janë shpallur terroristë nga regjimi i Teheranit.

Login to post comments