Trafiku i 14 miliardë eurove drogë, kapet në Tiranë turku i kërkuar nga Franca

Diel, 19 Janar 2020 10:17

Një ndër anëtarët e familjes kriminale turke “Baybasin”, drejtuesi i të cilit u pagëzua me emrin “Eskobari i Europës”, është arrestua në Shqipëri në fund të dhjetorit.

Bëhet fjalë për një 53- vjeçar, të cilin autoritetet franceze e kanë në listën e personave më të kërkuar. Sipas informacioneve të rezervuara nga Policia, i arrestuari kërkohej si një trafikant i familjes kriminale, që si drejtues të vetin kishte shtetasin Hysein Baybasin, i konsideruar disa vite më parë si “Eskobari i Europës”.

Faruk Baybasin, i arrestuar në Aeroportin e Rinasit më 24 dhjetor, rezulton i dënuar me 30 vite burg për çështje të trafikut të heroinës, ndërsa kërkohet nga Gjykata e Loire Atlantique, në Francë, që e ka shpallur fajtor si pjesëtar të organizatës kriminale që trafikonte heroinë në Europë.

Drejtësia franceze, përmes dokumenteve që i ka përcjellë me urgjencë, kërkon dorëzimin e Baybasin me argumentin se përgjatë viteve 1994 -1995 ai ishte aktiv në trafikun e drogës edhe në Francë, si anëtar i një bande që vepronte jo vetëm në Turqi, por edhe në Francë.

40 DITË BURG

Pas arrestimit, Faruk Baybasin ka dalë para Gjykatës së Tiranës për t’u njohur me masën e sigurimit të tij personal. Trupi gjykues, në funksion të kërkesës së Francës, ka vendosur “Arrest me burg” për 40 ditë për Faruk Baybasin, i cili tentoi të hynte në Shqipëri për t’u fshehur, por u zbulua nga autoritetet.

Ai ka pranuar që është djali i një tjetër trafikanti të dënuar, Mahmut Baybasin, i cili gjithashtu rezulton të jetë pjesë e familjes së narkotrafikut.

Madje, ky grup mori etiketimin “Eskobarët e Europës”, pasi kryesori i grupi, Hysein Baybasin, mori emrin “Eskobari i Europës”. Për aktivitetin e këtij grupi në atë kohë, mediat raportonin se Hyseyin Baybasin, Mehmet Emin Baybasin, Mehmet Serif Baybasin, Mehmet Sirin Baybasin, Mahmut Baybasin janë anëtarë të familjes që përfundoi në burg për drogë. Të ardhurat e grupit nga heroina janë vlerësuar në 10 miliardë paund, apo 14 miliardë euro.

BARONI NDËRKOMBËTAR I DROGËS

Gjatë një operacioni të zhvilluar në vitin 2011 në Bolivi, është bërë i mundur arrestimi dhe ekstradimi i baronit ndërkombëtar të drogës, Abdullah Baybasin. Emri i baronit ndërkombëtar të drogës, Abdullah Baybasin, është dëgjuar për herë të parë në Angli.

Ai qëndron në një karrocë me rrota, për shkak të një sulmi të armatosur që ka ndodhur në vitin 1980. Abdullah Baybasin kontrollonte 90 për qind të tregut të drogës në Londër. Baybasin është arrestuar në vitin 2006 për veprat penale “Organizator i krimit të organizuar” dhe “Tregti të drogës”.

Për këto vepra penale, baroni ndërkombëtar i drogës vuajti një dënim prej katër vjetësh dhe më pas është lënë i lirë. Në vitin 2010, ai u rikthye në Turqi. Dy muaj më vonë, sektori i narkotikëve në shtetin turk përfundoi një hetim që kishte zgjatur rreth një vit, duke e finalizuar me një operacion të madh më 27 janar 2011.

Në këtë operacion, mediat turke bëjnë të ditur se janë sekuestruar rreth 281 kilogramë lëndë narkotike kokainë, e cila u kap në një anije që vinte nga Bolivia, duke u afruar në Ambarli.

U arrestuan 15 persona, duke përfshirë Abdullah Baybasin dhe Mehmet Sait Ozmen, të cilët dyshohet se ishin pronarë të kokainës. Ozmen, pas një viti, shpëtoi nga burgu ku ishte i pranishëm edhe për varrosjen e të afërmit të tij.

Dënimi prej 40 vjetësh i Gjykatës për Abdullah Baybasin dhe 48 vjet për Ozmen, u kthye nga Gjykata Supreme.

Faruk Baybasin, në pritje të ekstradimit për në Francë

Ndërkohë, autoritetet franceze, nëpërmjet letërporosisë, i kanë kërkuar shtetit shqiptar ekstradimin e të arrestuarit në Aeroportin e Rinasit, Faruk Baybasin. Ky i fundit, sipas burimeve, mësohet se është vënë në pranga pak ditë para Vitit të Ri. Faruk Baybasin po tentonte të hynte në Shqipëri me dokumente, vend ku edhe do të fshihej nga autoritetet franceze.

Ndërkohë, gjatë seancës së zhvilluar pak ditë më parë në Gjykatën e Tiranës, Faruk është shprehur se po vinte në Shqipëri për dëshirë dhe se nuk po i shmangej askujt. Sipas tij, akuzat e ngritura nga shteti i Francës nuk qëndrojnë.

Ai ka shtuar më tej se po vuan dënime vetëm se është pjesëtar i një familje që ka kryer vepra penale në trafikun e drogës.

“Mos pranoni të më ekstradoni. Unë nuk kam bërë asgjë në Francë. Po ndëshkohem vetëm se jam familjar i ‘Eskobarit të Europës’. Në Shqipëri po vija si turist dhe nuk i shmangesha askujt”, mësohet të jetë shprehur shtetasi turk në Gjykatën e Tiranës.

Kjo e fundit, në përfundim, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë personale me 40 ditë burg, deri në momentin që të kryhen veprimet e ekstradimit.

Faruk Baybasin ka pranuar që është djali i një tjetër trafikanti të dënuar, Mahmut Baybasin, i cili gjithashtu rezulton të jetë pjesë e familjes së narkotrafikut të etiketuar. Madje, ky grup mori etiketimin “Eskobarët e Europës”, pasi kryesori i grupit, Hysein Baybasin, mori emrin Eskobari i Evropës.

Prokurori britanik: Kush vinte, puthte dorën e ‘Eskobarit’

Gjatë një seance gjyqësore të zhvilluar së fundmi në Turqi, 8 të arrestuarit që mbaheshin në qeli, kanë kërkuar lirinë e tyre me arsyetimin se tejkaluan 5 vite në paraburgim. Ndërkohë, shtatë të arrestuar të tjerë kishin fituar lirinë që nga seanca në Gjykatën Supreme.

Pretendohet se Abdullah Baybasin është zëvendësuar nga vëllai i tij, Husein Baybasin, i cili njihet si “njeriu më i rrezikshëm” në Angli dhe i njohur si “Escobar Europian”. Gjyqi i Huseyin Baybasin, i cili ishte mbajtur në Holandë për 15 vjet, zgjati 4 vjet.

Prokurori britanik Robin Plummer e përshkroi procesin si më poshtë: “Ne e ndoqëm bandën për 8 muaj. Ashtu si ne po shikonim filmin ‘Babi’. Çdo ditë vinin njerëz të rinj, puna e tyre e parë do të bënin ishte të puthnin dorën e Abdullah Baybasin. Për shumë vite, ata kishin frikë nga turqit në Londër”, është shprehur prokurori britanik.

/Panorama/

Login to post comments