Kushtet e punës! Gjatë një viti 20 punëtorë të KEK, vdiqën nga kanceri

Diel, 19 Janar 2020 10:36

Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), vazhdojnë të punojnë në kushte të rënda dhe të rrezikshme për shëndetin.

Vetëm gjatë vitit 2019, 20 punëtorë të kësaj korporate kanë vdekur si pasojë e sëmundjeve kancerogjene, që dyshohet se i fitojnë gjatë punës.

Kryetari i Nënsindikatës së Punëtorëve të KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka thënë se punëtorët po i ekspozohen një rrezikshmërie të lartë gjatë procesit të punës.

“Po vërtetë punëtorët e KEK-ut kanë kushte të vështira të punës, sepse natyrisht natyra e punës është e tillë, dhe gjithherë shëndeti i tyre rrezikohet maksimalisht. Vetëm në vitin 2019, kemi pas rreth 20 punëtorë të vdekur nga sëmundjet kancerogjene, që dyshohet se i marrin në vendet e punës së tyre. Na e kemi termocentralet ku kanë gazra helmuese dhe dridhje permanente, mirëpo e kemi edhe minierat sipërfaqësore ku ka gazra helmuese, ka pluhur e ka gjëra që vërtet dyshohet se sëmundja kancerogjene është si sëmundje profesionale e punës ato që e marrin gjatë orarit të punës”, shtoi ai.

Shëndeti i punëtorëve të KEK-ut sipas Llumnicës po rrezikohet edhe nga kushtet e rënda të punës dhe mungesës së pajisjeve mbrojtëse.

Ai thotë se kanë kërkuar nga menaxhmenti i KEK-ut që urgjentisht t’i pajisin me mjete pune mbrojtëse, por që ende nuk kanë bërë zgjidhje.

“Po pajisjet personale mbrojtëse i përdorin punëtorët, megjithëse ka problem për pajisjet personale mbrojtëse, sepse kohëve të fundit ka edhe mungesë të tyre për arsye se çdo gjë që blihet prej KEK-ut, shkon përmes tenderimit dhe nuk kemi pas oferta të mjaftueshme të përgjegjshme për këtë çështje, dhe ka vonesa të pajisjeve personale mbrojtëse. Megjithatë ne kemi kërkuar te menaxhmenti i KEK-ut, që urgjentisht të gjejë formën se si të furnizojë punëtorin me këto pajisje mbrojtëse, mirëpo edhe përkundër aplikimit të masave mbrojtëse natyra e punës në KEK është e tillë, dhe nuk mund ti ik rreziqeve për shëndetin në punë”, thotë ai.

Përveç kësaj, Llumnica thotë këta punëtorë po diskriminohen edhe në aspekte të tjera.

Sipas tij punëtorëve që punojnë me ndërrime nuk iu paguhet fundjava 50%, nuk respektohet rasti i pushimeve vjetore për vendet me rrezikshmëri të lartë të punës dhe se nuk respektohen pushime mjekësore të punëtorëve që duhet t’i kenë 20 ditët e para 100% nga Kompania.

“Nuk respektohet siç e thashë edhe më herët te ndërrimet e punëtorëve, të punëtorët me ndërrime nuk iu paguhet fundjava 50%, nuk respektohet rasti i pushimeve vjetore për vendet me rrezikshmërisë lartë të punë, nuk respektohet për pushime mjekësore që duhet ti kenë 20 ditë e para 100% nga Kompania, dhe ka edhe gjëra të tjera që edhe prej ligjit të punës që nuk respektohet në Korporatën Energjetike të Kosovës”, thotë ai për Ekonomia Online.

Ai kontratën me ”Counter Global”, e konsideron shumë të dëmshme, jo vetëm për punëtorët e KEK-ut, por edhe për qytetarin e Kosovës.

Kjo për arsye se sipas tij Qeveria e Kosovës ka vendosur të bëjë dekomosionimin e Termocentralit “Kosova A”, ku mund të mbesin 1 mijë punëtorë pa punë.

“Po kontrata me ‘Counter Global’, për neve është e dëmshme, por jo vetëm për neve por edhe për qytetarin e Kosovës, për arsye se Qeveria e Kosovës ka vendosur të bëjë dekomosionimin e Termocentralit ‘Kosova A’, ku mund të mbesin 1 mijë punëtorë pa punë dhe ne kemi kërkuar rivitalizimin e këtij termocentrali me një garancion 20 vjeçar”, thotë ai.

Login to post comments