E dëbuan me urgjencë në ditën e parë të vitit, ‘Zëri i Amerikës’: Urdhri i autoriteteve shqiptare ndaj turkut ngre dyshime të forta se atij…

Tuesday, 21 Janar 2020 13:27

Urdhëri i dëbimit i nxjerrë nga autoritetet shqiptare ndaj shtetasit turk Harun Çelik, ngre dyshime të forta se atij ju mohua hapur e drejta e ankimimit siç parashikon legjislacioni shqiptar

Dokumenti, një kopje të të cilit është siguruar nga Zëri i Amerikës, është firmosur nga Enkeleda Toska, Drejtore për Kufirin dhe Emigracionin në Tiranë në datën 1 Janar të këtij viti, të njejtën ditë kur ai u lirua nga burgu ku po vuante dënimin për “falsifikim dokumentash”. Urdhëri saktëson se Harun Çelik “nuk plotëson kushtet e nevojshme për qëndrim” duke ju referuar Nenit 109/a të Ligjit shqiptar për të Huajt. Sipas këtij neni, masa e dëbimit, merret ndaj të huajit i cili “ka hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin Republikës së Shqipërisë dhe ka të dhëna se do të përdorë territorin e saj për të kaluar ilegalisht drejt vendeve të tjera”. Në fakt, Çelik, ka hyrë në mënyrë të rregullt në Shqipëri, në kufirin tokësor me Kosovën. Ai u kap më pas në aeroportin ndërkombëtar Nënë Tereza, ndërsa po përpiqej të merrte fluturimin drejt një destinacioni tranzit me qëllim mbërritjen në Kanada, pasi kishte një vizë kanadeze të falsifikuar.

Ajo që bën përshtypje në Urdhërin e dëbimit është urgjenca për ta larguar atë nga Shqipëria, në ditën e parë të vitit, kur të gjithë janë pushim. “Afati për largimin nga territori jo më shumë se 0 ditë nga data e marrjes së njoftimit”, shkruhet në dokument. I njejti ligj mbi bazë të të cilit është lëshuar Urdhëri i dëbimit, njeh megjithatë të drejtën e ankimimit. Neni 110, pika 1, parashikon se “i huaji ka të drejtë të ankimojë urdhrin e dëbimit të autoritetit përgjegjës për kufirin dhe migracionin, sipas legjislacionit në fuqi”. Por në rastin e shtetasit turk Çelik, gjithshka është bërë në mënyrë të rrufeshme. Sipas Nenit 112 të Ligjit për të Huajt “urdhri i dëbimit ekzekutohet menjëherë, në rast se prania e të huajit përbën kërcënim për rendin dhe sigurinë kombëtare”, por ky nuk duket të jetë rasti, pasi vetë autoritetet e kanë dëbuar atë në bazë të një tjetër rrethane.

Në vetë urdhërin e dëbimit të lëshuar ndaj Çelik, shkruhet se “kundër këtij urdhëri mund të bëhet ankesë mbështetur në Nenin 122 të Ligjit për të Huajt”. Kjo referencë ligjore duket e paqartë, përsa kohë Neni 122 ka të bëjë me një të huaj “ndaj të cilit është nxjerrë një urdhër ndalimi në qendër të mbyllur”. Në të vërtetë ligji parashikon që personi ndaj të cilëve ka urdhër dëbimi “mbahet i ndaluar në një qendër të mbyllur”. Por sipas avokatëve të Çelik, ky i fundit nuk është dërguar në asnjë qendër të mbyllur, por vetëm në Drejtorinë e Kufirit dhe Emigracionit dhe në ambasadën turke ku është pajisur me dokumentat e nevojshëm për udhëtimin drejt Stambollit, e më pas drejt aeroportit.

Edhe në referencë të vetë Nenit 122, të cituar në urdhërin e dëbimit, shtetasi turk kishte megjithatë “të drejtë të ankohet në gjykatën e rrethit gjyqësor për këtë masë, në çdo kohë, pas njoftimit me shkrim për ndalimin ose zgjatjen e ndalimit”. Ndërsa pika tjetër e Nenit 122 saktëson se “ Gjykata e rrethit gjyqësor shqyrton me përparësi ligjshmërinë e masës së ndalimit të të huajit në qendër të mbyllur dhe vendos mbajtjen e tij në qendrën e mbyllur ose lënien e tij të lirë”. Por Harun Çelikut nuk ju la asnjë mundësi të shfrytëzonte të drejtat që i njeh legjislacioni shqiptar, madje dhe përfaqësuesi ligjor i avokatëve të tij, nuk u la të kontaktonte me të.

Rasti i shtetasit turk Çelik, ikur nga vendi i tij si mbështetës i lëvizjes Gylen, për shkak të kërcënimeve ndaj jetës, është i mbushur me qëndrime kontradiktore të autoriteteve shqiptare. Njëri prej avokatëve të tij, Alban Bengasi, i tha më herët “Zërit të Amerikës” se “zoti Çelik u kërkoi zyrtarëve azil politik por kjo iu refuzua nga autoritetet e policisë së burgjeve.” Ai shpjegoi se këtë kërkesë ai e ka bërë në prani të një përkthyesi, por drejtuesit e burgut i kishin thënë se do të duhej ta bëntë një gjë të tillë kur të lirohej, gjë që nga avokati shihet si një shkelje e të drejtave të klientit të tij.

Drejtues të lartë të policisë e së fundi dhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në një intervistë për emisionin “Kapital” në Vizion Plus, kanë pohuar se nuk ka patur një kërkesë me shkrim për azil, ndërkohë që legjislacioni shqiptar parashikon se “Kërkesë për azil” është çdo deklaratë e të huajit ose personit pa shtetësi, e shprehur në çfarëdolloj mënyre e në çfarëdo kohe”. Video të publikuara nga televizioni ABC News, tregojnë se si dhe gjatë transportimit nga mjetet e policies, Çelik thërret me zë të lartë fjalën “azil..azil”.

Autoritetet turke në mënyrë të përsëritur kanë kërkuar nga pala shqiptare kapjen e anëtarëve të organizatës Feto, e konsideruar terroriste nga Ankaraja. Përfaqësues të ambasadës turke ishin javën e shkuar të pranishëm në seancën e parë gjyqësore ndaj Selami Simsek, një tjetër shtetas turk, i kapur në të njejtat rrethana dhe në të njejtën ditë me Harun Çelikun.

Burimi: Zeri i Amerikes

Login to post comments