OBSH: Virusi i ri ka rrezikshmëri të lartë

Premte, 24 Janar 2020 18:20

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi të enjten se epidemia e korona-virusit në Kinë, përfaqëson një rrezik global të madh, por nuk shpalli Emergjencën globale të Shëndetit Publik. Numri i rasteve të konfirmuara është rritur në mbi pesëqind, me të paktën tetëmbëdhjetë vdekje në Kinë, ndërsa disa ekspertë shqetësohen se numri i vërtetë mund të jetë shumë më i madh. Infektime të reja u njoftuan në Singapor dhe Vietnam, ndërsa virusi është konstatuar tashmë në Japoni, Tajvan, Kore të Jugut, Tailandë dhe Shtetet e Bashkuara. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, korona-virusi e ka origjinën në qytetin kinez Wuhan, ku autoritetet po marrin masa të rrepta në përpjekje për të ndalur përhapjen e mëtejshme të sëmundjes.

Qyteti kinez Wuhan, me një popullsi 11 milionë banorë, është nën karantinë dhe në epiqendër të vëmendjes për epideminë e korona-virusit.

Pamjet e filmuara me celular tregojnë policinë të mobilizuar në mbarë qytetin. Masat e sigurisë po vendosen në të gjithë provincën Hubei, ndërsa është shtuar numri i rasteve gjatë ditëve të fundit.

Banorët që planifikojnë të udhëtojnë këtë fundjavë për festimet e Vitit të Ri Hënor, po kthehen mbrapsht. Transporti publik brenda dhe jashtë qytetit është ndërprerë.

Në aeroportin e Pekinit, udhëtarët po marrin masa.

“Jam vërtet e shqetësuar. Kam frikë mos bëhet si SARS-i. Prandaj po mbajmë maska”, thotë Cindy Chen, e cila po udhëton për në Nanning.

Televizioni shtetëror kinez tregoi pamje të punonjësve të shëndetësisë që kontrollojnë pasagjerët në aeroporte në mbarë vendin. Personat me temperaturë të lartë vendosën në karantinë. Zëri i Amerikës nuk pati mundësinë të verifikojë pamjet.

Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk shpalli të enjten Emergjencën e Shëndetit Publik, e cila do ta përcaktonte virusin në të njëjtin nivel me epideminë e Ebolas në Republikën Demokratike të Kongos.

“Është sigurisht një emergjencë në Kinë. Por, ende nuk është bërë një emergjencë globale e shëndetit. Mund të bëhet në të ardhmen”, tha Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtor i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Komiteti i Emergjencave i OBSH-së planifikon të mblidhet sërish pas 10 ditësh.

Ekspertët thonë se korona-virusi nuk është ende një epidemi aq serioze si ato në të kaluarën, si p.sh. epidemia e SARS-it në vitin 2003, e cila shkaktoi rreth 800 viktima.

“Është më i përafërti me SARS-in. Prandaj duhet konsideruar si diçka që mund të bëhet tepër e rrezikshme. Sidoqoftë, numri i viktimave në proporcion me njerëzit e infektuar është shumë më i ulët se nga virusi SARS”, thotë dr. Derek Gatherer, virolog në Universitetin Lancaster.

Virusi mendohet ta ketë origjinën tek kafshët e egra që shiten ilegalisht në tregun e prodhimeve të detit në qytetin Wuhan.

“Është e rëndësishme që kinezëve t’u jepet e gjithë mbështetja e nevojshme për ta vendosur nën kontroll situatën në Wuhan; që të gjurmojnë të gjitha rastet e infektuara dhe të futen në karantinë, si dhe të testohen për virusin të gjithë personat që kanë simptoma respiratore në Wuhan”, thotë dr. Gatherer.

Në mbarë botën, autoritetet po shtojnë kontrollin e udhëtarëve. Ekspertët thonë se frika më e madhe është për transmetimin e virusit nga njeriu tek njeriu jashtë territorit të Kinës, gjë që mund të sillte fillimin e një epidemie globale.

Login to post comments