Prokuroria ka kërkuar arrest me burg për 5 të arrestuarit e bandës së drogës në Durrës, për rrëmbimin dhe vrasjen makabre të 49 vjeçarit Jak Prenga. Policia ka bërë ndalimin e Festim Bezhdilit, 30 vjeç, dhe i janë sekuestruar dy telefona dhe një sasi prej 850 eurosh. Ndërkohë më herët janë arrestuar autorët Bajram Hajri, Elton Hajri, Leonard Hajri (të tre vëllezër) dhe Olsi Turja.
Këta persona kanë rrëmbyer në Kamëz dhe më pas rrahën për vdekje Jak Prengën në restortin e tyre luksoz “Golden”, në Shijak pasi vëllai i viktimës i cili ishte korrier i grupit kriminal të Hajrajve, nuk ka dorëzuar në Angli me porosi të tyre 243 kilogram kokainë.
Pasi sasia e kokainës nuk është dorëzuar në destinacionin e kërkuar nga vëllezërit Hajri, këta të fundit në shenjë hakmarrje kanë marrë peng vëllain e korrierit, Jak Prengën, dhe e kanë rrahur për vdekje.