Policia nuk ka dyshime: Pengu humbi jetën para se të ....

E Enjte, 30 Janar 2020 17:16

Policia e Shtetit nëpërmjet një komunikate për shtyp ka shmangur çdo dyshim mbi fatin e Jan Prengës, I cili u mor peng më 17 janar në Kamzë.

Policia thotë se ka prova të pakundërshtueshme që Jan Prenga ka humbur jetën para se të futej në resort nga pengmarrësit të cilët tashmë janë identifikuar, disa madje janë vendosur në pranga.

‘Sqarim për opinionin publik, në lidhje me pengmarrjen me pasojë vdekjen e shtetasit J. P.  dhe punën e Policisë nën drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Nisur nga publikimi i disa lajmeve në disa media vizive dhe të shkruara, në lidhje me  veprimet e kryera nga ana e Policisë për gjetjen e shtetasit të marrë peng më datë 17 janar 2020, si dhe mbi spekulimin në lidhje me dinamikën e ngjarjes, informojmë opinionin publik se lajmet janë tërësisht të pavërteta.

Në lidhje me këtë ngjarje Policia e Shtetit ka informuar publikun e gjerë nëpërmjet zëdhënësit të saj mbi ecurinë e veprimeve procedurale të kryera në vazhdimësi, në lidhje me pengmarrjen e shtetasit J. P.

Grupi i posaçëm hetimor,  pasi  siguroi  informacione nga burime policore dhe duke përdorur të gjitha teknikat speciale të hetimit të miratuara nga Prokuroria dhe Gjykata  në përfundim të analizimit të informacioneve të siguruara krijoi bindjen e plotë të bazuar mbi prova  se shtetasi J. P. mund të mbahej peng në resortin në pronësi të shtetasit A. H., banues në Shijak.

Mbi bazën e këtyre informacioneve u hartua plan-operacioni dhe u zhvillua operacioni policor i koduar "Resorti".

Duam të theksojmë se Policia e Shtetit disponon prova të pakundërshtueshme se shtetasi J. P.  ka ndërruar jetë më datë 17 janar, pra ditën e rrëmbimit, dhe se në resort është dërguar pa shenja jete.

Strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me prokurorinë, vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë krim, si dhe për gjetjen e trupit të shtetasit J. P.

Duke marrë parasysh rëndësinë e këtij hetimi, si dhe shqetësimin e familjarëve, të cilët janë duke pritur për gjetjen e trupit të shtetasit J. P., kërkojmë mirëkuptimin e gazetarëve dhe  analistëve që të mos publikojnë të dhëna  të pavërteta që dëmtojnë ecurinë e hetimeve dhe shkaktojnë akoma më shumë traumë psikologjike tek familjarët, të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre për publikimet e lajmeve të pavërteta dhe lidhje të tyre me këtë ngjarje.

Policia e Shtetit është e hapur për të bashkëpunuar me median dhe publikun, por gjithmonë në hapësirat e lejuara nga ligji dhe në interes të së mirës së përgjithshme.’

Modifikuar më E Enjte, 30 Janar 2020 17:19
Login to post comments