Ministria e Arsimit duket më e vendosur se kurrë për të mos lejuar këtë vit që teza të dalë nga ambientet e provimeve të maturantëve.
Për këtë, ka forcuar masat disiplinore në rregullore. Armiku numër një është celulari, të cilin ua ndalon si administratorëve, edhe maturantëve të merren me vete. Edhe pse duhen katër muaj nga sezoni i provimeve të maturës, ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka nisur që tani t’ua kujtojë maturantëve se çfarë i pret në rast se tentojnë të kopjojnë.
Me anë të një videoje ndërgjegjësuese, të ndarë në rrjetet sociale, aty ku shpenzojnë më së shumti kohën të rinjtë, ministrja citon penalizmin e rëndë, nëse konstatohet dikush me celular. Ai, jo vetëm që përjashtohet direkt nga provimi, por nuk futet dot as në sesionin e vjeshtës. Rrjedhimisht, nuk mund të garojë për në universitet.
“Celulari, rreptësisht i ndaluar. Ardhja me celular, të përjashton një vit nga provimi”, thuhet në videon bashkëngjitur të cilës Shahini shkruan: “Për maturën shtetërore janë shtuar edhe masat disiplinore. Paraqitja e maturantit në qendrën e provimit dhe/ ose konstatimi gjatë tij me celular sjell përjashtim direkt nga të gjitha provimet e maturës dhe e detyron t’i japë ato pas një viti”.
Në harkun kohor të dhjetë ditëve, nga 8-18 qershor, maturantët do të japin katër provime, tre me detyrim e një me zgjedhje.
Tjetër risi e këtij viti janë administratorët. Përveç mësuesve, punonjësve të ministrisë dhe institucioneve të varësisë, administratorë provimesh do të jenë edhe oficerët e sigurisë dhe praktikantët e mësuesisë, të cilët nuk do të jenë të fushës për të cilën zhvillohet provimi dhe as në qytetin ku ata zhvillojnë praktikën.
Ndryshe nga vitet e shkuara, maturantët do të duhet të sigurojnë më tepër pikë për të kapur një notë kaluese. Nga 20%, kufiri maksimal i kalueshmërisë është rritur në 25%. Vlerësimi i testeve do të kryhet në mënyrë elektronike, çka mundëson përveç një korrigjimi korrekt, transparent e pa gabime, edhe shpejtësi. Rezultatet e provimeve nuk do të dalin më vonë se data 30 qershor.
Rihapet portali i aplikimeve për maturantët e vjetër
Të gjithë ata që kanë përfunduar shkollën e mesme vitet e kaluara dhe dëshirojnë të aplikojnë në universitet kanë një shans të dytë aplikimesh. Pas përfundimit të afatit të parë të aplikimeve, vitin që shkoi, Qendra e Shërbimeve Arsimore iu jep një shans të dytë ishmaturantëve, të cilët, për arsye të ndryshme nuk arritën të plotësojnë dot në kohë Formularin A1, ku përzgjidhet lënda me zgjedhje, si dhe gjuha e huaj që do të japin provim (në rast se nuk e kanë dhënë një herë). Ata do të kenë në dispozicion pesë ditët e javës që vjen, nga data 3 deri më 7 shkurt.
Mjafton të shkojnë në gjimnazin ku kanë përfunduar studimet për të plotësuar formularin me ndihmën e një mësuesi mbikëqyrës, të caktuar nga shkolla. Procedura është e njëjtë me atë të maturantëve aktualë. Nga lista e tetë lëndëve me zgjedhje, ata do të duhet të caktojnë njërën prej tyre, ku mendojnë se mund të marrin rezultat maksimal, çka do t’i ndihmojë në garimin për në universitet.