Autoritetet shëndetësore në Shqipëri pohuan shtimin e masave për të parandaluar hyrjen e koronavirusit në vend.
Zyrtarët thanë se nuk ka vend për panik dhe se qytetarët duhet t’u besojnë mjekëve në përballimin e këtij rreziku.
Shefja e departamentit të sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, tha se “janë mbajtur nën kontroll gjatë vet-karantinës të gjithë shtetasit kinezë që u kthyen në Shqipëri pas vitit të ri kinez dhe strukturat janë plotësisht të pajisura dhe të afta për të zbuluar këtë sëmundje të re”.
Shqetësimi u rrit kur ndryshe nga fillimet e visurit në Kinë, ai tashmë është afruar deri në veri të Italisë fqinje, me të cilën Shqipëria ka përditë afro 14 linja udhëtimesh ajrore si dhe disa tragete në linja të rregullta detare.
Shqipëria ka caktuar edhe një strukturë spitalore si vend karantine, që plotëson të gjitha standardet e përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, por për arsye sigurie dhe etike mjekësore vend-ndodhja nuk bëhet e ditur.
“Kemi përcaktuar një strukturë spitalore si vend karantine, e vlerësuar edhe nga ne si komitet teknik, që plotëson standardet. Karantina nuk është vendi ku trajtohen të sëmurët, por është vendi për personat e shëndoshë të dyshuar ose që kanë patur kontakte me persona të sëmurë. Ne kemi gati edhe struktura të tjera, nëse do të jetë e nevojshme. Kini besim tek strukturat shëndetësore”, – tha zonja Bino.
Shqipëria dyfishoi personelin e njësive shëndetësore në pikat kufitare në përpjekje për të forcuar kontrollet e udhëtarëve që vijnë nga vendet e prekura prej koronavirusit.
Masat shëndetësore u shtuan në portet detare, aeroportet dhe pikat tokësore të Shqipërisë pas lajmeve mbi praninë e koronavirusit në Italinë fqinje.
Qeveria ka ngritur një ekip të posaçëm për parandalimin, kontrollin dhe mbrojtjen e popullatës ndaj koronavirusit të ri.
Ekspertët dhe drejtuesit e institucioneve shëndetësore kërkuan shtimin e mjeteve mbrojtëse personale, spitalore, laboratorike dhe shtimin e kontrolleve për të parandaluar depërtimin e koronavirusit në Shqipëri./ VOA