Në një kohë që numri zyrtar i të prekurve nga koronavirusi ka shkuar në 33, shumë qytetarë shprehin shqetësim për simptomat e tyre, dhe kërkojnë që ti nënshtrohen analizës për COVID 19.
Pavarësisht se është apeluar në qindra raste që e vetmja rrugë për të kryer testin është telefonata në numrin 127 të emergjencës kombëtare, qytetarët, që nuk marrin përgjigje për të disatën herë, në jo pak raste u janë drejtuar personalisht spitaleve.
E njëjta situatë është paraqitur edhe sot, ku gazetarja e Fax News Ema Shazivari raporton se pranë spitalit Infektiv kanë mbërritur disa familjarë të një pacienteje të dyshuar, të cilët thonë se 127 nuk iu është përgjigjur shqetësimit të tyre.
Personi që dyshohet të ketë qenë i prekur me koronavirus ishte drejtuar një spitali privat fillimisht, dhe më pas kishte shkuar me makinë personale drejt infektivit, edhe pse është i ndaluar qarkullimi i mjeteve në kryeqytet.
Në një deklaratë për mediat, shefja e sektorit të Infektivit në ISHP Silva Bino kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve, që jo çdo rast që paraqet shqetësim duhet ti nënshtrohet medoemos testit për COVID-19.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, nga 33 rastet me të prekur nga koronavirusi në vendin tonë, vetëm 8 prej tyre janë duke marrë mjekimin pranë spitalit Infektiv, pasi pjesa tjetëe e tyre janë vetëizoluar në banesë.