Shqiptarët mbeten ende grupi më i madh i azilkërkuesve në vendet e BE-së. Pavarësisht se Shqipërisë iu hap drita jeshile për hapjen e negociatave, problemi i emigrimit dhe kërkesa për azil mbeten probleme të rëndësishme në kapitullin për politikën e vizave.
Kështu Raporti i KE-së sjell në vëmendje situatën ekonomike të Shqipërisë, si faktori kryesor që nxit largimin e shqiptarëve dhe rritjen e kërkesave për azil. Jo vetëm kaq, por raporti sjell në vëmendje edhe nevojën për t’i përkrahur të kthyerit për t’i nxjerrë ato nga gjendja social-ekonomike.
Numri i personave të kthyer nga vendet e zonës Shengen është shumë i lartë dhe pavarësisht kësaj edhe numri i shqiptarëve që qëndrojnë ilegalisht në vendet e BE-së mbetët më i larti krahasuar më vendet e tjera të Ballkanit. Vetëm në janar dhe shkurt të këtij viti, sipas raportit të KE-së rreth 3500 shqiptarë nuk u lejuan të dalin nga territori shqiptar në drejtim të vendeve të BE-së dhe se numri i fëmijëve të pashoqëruar, që sipas raportit rezulton të jetë 1600, është një problem që duhet të zgjojë autoritetet shqiptare. Ndërkohë të dhënat flasin se nga janari i këtij viti, deri në ditët e sotme 246 fëmijë, shqiptarë që nuk kanë qenë të shoqëruar, nuk janë lejuar të kalojnë në Bashkimin Europian.
Vetëm në Itali ndodhen 1655 të mitur shqiptarë që presin në qendrat e strehimit.