Akademiku Artan Fuga e cilëson dilemë vendimet e qeverisë për të mbajtur njerëzit në shtëpi, për t’i lejuar për të punuar apo për t’i kompensuar.
Ai në një status në Facebook shkruan se deri tani një metodë për planin ekonomik të qeverisë që deri tani mungon pasi nuk mjafton vetëm mendimi i mjekut, policit, financierit, punonjësit apo biznesit.
Ai shtron disa pyetje të cilat nuk po marrin përgjigje dhe dilemave sipas tij të qeverisë i duhet dhënë fund pasi koha po afron me shpejtësi.
STATUSI I ARTAN FUGËS
Dilemat e qeverisë : sillet vallja (mendja) rrotullo!
————————————————-
T’i mbaj njerëzit në shtëpi që të mos përhapet epidemia? Mirë do të ishte!
Mirë do t’i mbaj në shtëpi, por çfarë do të bëj sepse ata duhet të kenë lekë në duar? Ku do t’i gjejnë paratë sidomos ata me pak të ardhura? Por, jo vetëm ata. Sepse edhe ata që kanë më shumë të ardhura çfarë do të bëjnë pas dy muajsh nëse kjo gjendje zgjat?
Ja edhe shpërndava parà sikurse më kërkohet, njerëzit do të kenë parà, por cfarë do blejnë me ato para sepse poqese askush nuk punon ku do t’i gjej mallrat që qytetari do të blejë?
Cfarë duhen paratë kur nuk ka mall, pra duhet të ketë miell, ujë, korrent, kripë, maja, yndyrë, presh, lakra, qumësh, djath që të ketë të paktën byrekë të shuajë mileti urinë.
Pra, njerëzit duhet të punojnë. Por, po punuan a nuk u duhet të dalin? Por poqese dalin a nuk infektohen? Por poqese se infektohen, a nuk do të mbushet spitali me të sëmurë? Ku i përballon spitali im qindra të sëmurë largqoftë?
Të blejë aparatura? Por, më duhen lekë? Por thamë që lekët më duhen që të paguaj paga njerëzve pa punuar!!!
Ja edhe mora borxh jashtë? Përsëri nuk më vlen sepse më duhen mallra. Mallrat, shumica më vijnë nga importi. Kështu që më duhet të funksionojnë sektorë që eksportojnë, përndryshe me çfarë do të ble në tregun e jashtëm?
Do të punojnë shumë sektorë por si do të menaxhoj qarkullimin rrugor sepse njerëzit do të shkojnë në punë? Poqese njerëzit shkojnë në punë me vetura, furgona, autobuza, çfarë do të më bëjnë policat me maska? Si do të bëjnë ata që njerëzit nëpër autobuza të mos infektohen?
Të marr kredi bankare nga jashtë? Kush të jep kredi që ta bësh rrush e kumbulla pra ta përdorësh për të paguar paga punonjësish pa punuar?
Vetëvrasje afatgjatë.
Ja nuk punuan! Si të bëj që nga njera anë të mos vjel taksa dhe nga ana tjetër të jap paga pa punuar? Aq më shumë paga për sektorin privat? T’u paguaj pagat e puntorëve që nuk do punojnë dhe të mos u vjel taksa? Me çfarë do paguaj?
Hajde vërdallë dhe hajde vërdallë dhe koha po afron me shpejtësi kur gjithë këtyre dilemave u duhet dhënë fund. Por kjo kërkon një logjikë që nuk është vetëm e mjekut, ose vetëm e financierit, ose vetëm e policit, ose vetëm e punonjësit, ose vetëm e biznesmenit.
Uria po rritet. Uria për parà pa punë pra e kam fjalën!
Duhet një arsyetim dhe metodë tjetër që mungon!
Po pyet o i uruar pyet!