Tregjet e aksioneve në Wall Street kanë pësuar rënien më të madhe në një dekadë ndërsa vazhdon luhatja nga dita në ditë.
Ulja agresive e interesave nga Banka Qëndrore nuk pati ndikim në rritjen e besimit për investitorët, ndërsa është shtuar frika për një recesion ekonomik global, raporton VOA.
Industritë në mbarë botën po ndjejnë pasojat financiare ndërsa aktiviteti ekonomik për shumë prej tyre është pezulluar, përfshi Austrinë. Norbert Kettner është drejtor i Bordit të Turizmit të Vjenës.
“Aktualisht po përjetojmë një rënie të lirë. Nuk kemi rezervime të reja por vetëm anulime. Po përjetojmë një ngrirje të gjithçkaje në qytet.”
Kjo ngrirje ndikon tek bizneset e vogla si ky dyqan syzesh me pronar Norbet Giarollin.
“Ka ditë që nuk kemi shitur asgjë. Nuk jam i zemëruar dhe mbyllja e gjithçkaje duhet të ndodhë. Për katër javë të gjithë të mbyllur në shtëpi. Kjo është mirë për familjet dhe do të zhdukë virusin dhe pastaj gjërat do të kthehen në normalitet.”
Por normaliteti mund të mos kthehet së shpejti dhe aktiviteti ekonomik mund të jetë i ngadaltë madje edhe pasi të bjerë përhapja e virusit në Evropë, Amerikën e Veriut dhe gjetkë. William Hoagland është me Qendrën për Politika Dypartiake.
“Të dhënat tregojnë se ekonomia botërore po shkon drejt recesionit. Nuk është vetëm Kina, por është Japonia, Italia, Gjermania. Një rritje ekonomime e dobët në shkallë globale.”
Nëse rënia e kërkesës për të mira materiale dhe shërbime zgjat apo frenohet, kjo do të shkatërrojë bizneset e vogla. Ammar Jouini është pronar i një dyqani të vogël suveniresh.
“Deri tani nuk kemi blerës. Po mendoj të mbyll dyqanin dhe të kërkoj për një punë tjetër për të përballuar jetesën. Të gjitha rezervimet janë anuluar, fluturimet janë pezulluar si rezultat i virusit. Zoti na ndihmoftë të gjithëve.”
Disa ndjehen të pashpresë si Ramadani që përdor karrocën e tij në shërbim të turistëve.
“Nuk ka turizëm, nuk ka asgjë. Kjo sëmundje ka qënë shkatërrimtare për njerëzit që nuk përballojnë dot ushqyerjen. Njerëzit janë në nevojë dhe nuk dinë se çfarë të bëjnë dhe ku po shkojnë.”
Pasiguria është kudo, përfshi dhe Shtëpinë e Bardhë ku këshilltarit ekonomik Larry Kudlow duket se i ka humbur optimizmi për ekonominë.
“Rënia e tregjeve është shumë e vështirë. Do të këshilloja qetësi dhe durim, ndërsa për investitorët afatgjatë do të thoja se ka mundësi blerje. Kjo është më e mira që mund të bëj. Nuk kam një top kristali për të treguar të ardhmen.”
Linjat ajrore amerikane po i kërkojnë qeverisë federale fonde prej 50 miliardë dollarësh për të përballuar situatën e krijuar nga koronavirusi. Ndërkohë, Senati amerikan vazhdon debatin mbi paketën ekonomike për
të zbutuat situatën për punonjëit dhe bizneset amerikane të ndikuara nga përhapja e virusit.