DITARI I KORONA-VIRUSIT/Prova të reja se tek ne parashteti mbetet më i fortë se shteti

Saturday, 28 Mars 2020 13:41

Nga Ilir Nikolla

Të bën përshtypje sjellja gati armiqësore e shtetit shqiptar ndaj emigrantëve, që prej vitesh, e mbase dekadash, kanë ngritur jetën e tyre në Perëndim (shumica dërrmuese në Itali dhe Greqi). Pasi i kërcënoi në janar se do t’i ndiqte këmba-këmbës pasuritë e tyre e s’do të linte gur pa lëvizur për ta vjelë dividentin për to, sepse kjo ishte në njëfarë mënyre edhe një detyrë patriotike e emigrantëve ndaj shtetit shqiptar, kryeministri ynë shpalli dje një tjetër nismë që ndëshkon bash emigrantët që kanë vite që jetojnë jashtë. Në ditët e tyre të zeza, në ditët e nevojës, kur duhma e zezë e epidemisë ndoshta ka ndikuar që në psikën e tyre të ngacmohet nostalgjia për vendlindjen dhe bindja se atje mund të ndihen më të sigurtë, qeveria Rama shpalli se do të ndihmonte kthimin në atdhe vetëm të atyre shqiptarëve që ishin bllokuar jashtë ditëve e javëve të fundit, pra vetëm turistët po themi.
Po të tjerët?
Ky s’është menefregizëm, është diçka më shumë. Trajtimi i emigrantëve si një pjesë e trungut amë që tashmë s’i përket më Shqipërisë, mohimi prej vitesh i së drejtës së tyre kushtetutese për të votuar, trajtimi i tyre si lopë për t’u mjelë sa herë ja behin këndej pari për pushime ka qenë një konstante shumëvjeçare e sjelljes së shtetit shqiptar. Deri tash vonë kjo sjellje gjithsesi është shoqëruar me njëfarë propagande demagogjike se emigrantëve duhet t’u kthehen të drejtat kushtetuese, se reformat e parashikojnë një gjë të tillë,...e përralla të tjera pa kurrfarë veprimesh shoqëruese.
Por deklarimi bezdisës i qeverisë ditën e djeshme, që asnjë emigrant që ka vite që jeton jashtë të mos nisë kërkesë për t’u kthyer në atdhe me fluturimet e Air-Albania bën përshtypje. Pasi për 15 ditë me radhë, qeveria u qendroi pa u skuqur të gjitha protestave politike e atyre online që kërkonin që shteti të kryente rolin e vet e të kthente në atdhe ata që kishin mbetur rrugëve, pilafi s’mbante më ujë dhe i erdhi radha lëvizjes së vonuar të tërheqjes në atdhe të turistëve, por jo të emigrantëve. Edhe shtete karikatura e kanë mbyllur prej kohësh operacionin e kthimit të shtetasve të tyre, bile asistuam një muaj më përpara në fluturimin e parë të Turkish Airlines në Wuhan, prej nga u tërhoqën prej andej të gjithë turqit, të infektuar a jo,...si edhe një shqiptar. Pra, i bie që Turqia, pasi kreu 100 % detyrën ndaj turqve, nisi të ndihmonte – për arsye humanitare besoj – edhe shqiptarët e mbetur pa atdhe.
Kjo gjendje jetimi ndihet më shumë tek shqiptarët që jetojnë në Itali. Sipas teorisë së numrave të mëdhenj, në afro 10 mijë viktima që ka marrë deri më tani corona-virusi, duhet të jenë edhe 100 shqiptarë, pasi sipas statistikave shtetërore, në Itali numri i shqiptarëve përbën 1 % të popullsisë. Ekziston një aksiomë mes matematikanëve, e cila thotë: “numrat nuk dinë të gënjejnë”. Atëhere, nëqoftë edhe disi afër të vërtetës teza e numrave të mëdhenj, shteti shqiptar duhet të ishte ngritur në këmbë prej kohësh, e bashkë me informacionet për karantinën në Shqipëri, që duken disi një trashëgimi e kampeve të dikurshme të përqendrimit, të jepte sa të mundej informacion edhe për shqiptarët që janë në reanimacion në spitalet e Italisë apo për ata që kanë humbur jetën.
Por shteti shqiptar nuk i trajton më emigrantët si qytetarë të vetët. Palo-shteti ynë deri këtu i ka kufijtë, prandaj ne detyrohemi përditë t’i drejtohemi parashtetit. I drejtohemi parashtetit dhe përpiqemi me fis e me shoqëri të marrim vesh si jemi, sa humbje kemi e kur do t’ja dalim. Në sajë të strukturave të këtij parashteti, shqiptarët nuk i janë nënshtruar edhe një katastrofe humanitare, së bashku me katastrofën e koronavirusit. Në sajë të këtyre strukturave, nuk troket uria tek 380 mijë familjet që aktualisht nuk kanë para as për një vakt bukë dhe nuk troket vdekja tek 600 mijë pensionistë, të cilët me pensionet e tyre nuk duhet të mbijetonin as edhe një ditë të vetme.
Në këto ditë epidemie, përveç leksioneve matematikore lidhur me numrat e mëdhenj, që parathonë një numër të lartë të vdekurisht nga korona-virusi në radhët e komunitetit shqiptar në Itali, marrim prej shtetit shqiptar edhe leksionin se ai s’i ka në defter emigrantët e ata, si gjithmonë këto 30 vjet, duhet t’i drejtohen parashtetit, për të mbijetuar e mbrothësuar.

 
Modifikuar më Saturday, 28 Mars 2020 17:11
Login to post comments

Lajmet e fundit

‘Ajo që ndodhi të enjten, puç parlamentar’, Vokshi: Vutë grupin parlamentar mbi Gjykatën Kushtetuese

Politikë

‘Ajo që ndodhi të enjten, puç parlamentar’, Vokshi: Vutë grupin parlamentar mbi Gjykatën Kushtetuese

  Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi, ka deklaruar se me vendimin e marrë të enjten në Kuvend për mos dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të Olta Xhaçkës, ka rënë...

Kalaja kallëzon në prokurori Ballën: SPAK t'i sekuestrojë telefonin dhe...

Politikë

Kalaja kallëzon në prokurori Ballën: SPAK t'i sekuestrojë telefonin dhe...

    Anëtarja e Komisionit të Apelimit në PD, Adriana Kalaja ka bërë një kallëzim penal për Taulant Ballën dhe individë të tjerë, të cilët sipas Kalasë kanë kryer shkelje nga më të rëndat...

Aksident në Santorini, humb jetën 29-vjeçari shqiptar

Kronikë

Aksident në Santorini, humb jetën 29-vjeçari shqiptar

  Një aksident rrugor ka ndodhur në ishullin grek të Santorinit, ku viktima është një 29-vjeçar me origjinë shqiptare. Sipas informacioneve të para, ngjarja ka ndodhur kur motori që drejtohej nga 29-vjeçari...