Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama përmes një statusi në Facebook i ka drejtuar disa fjalë të ndreja Prof. Dr. Dhimitër Krajës, që ndonëse në pension veshi sërish bluzën e bardhë për tu përballur me koronavirusin.
Luan Rama thotë që ai është heroi i ditëve tona, që po lufton me koronavirusin dhe do t’ja dalë, pasi koronavirusi nuk mund ta mundë një doktor hero si ai.
STATUSI I PLOTE
Heronjtë e ditëve tona:
Lutem për ty doktor Lul Kraja,
lutem për ty heroi im!
Heronjtë e ditëve tona ka qenë një rubrikë më vete e shtypit dhe e radiotelevizionit në kohën e socializmit. Një të tillë e kishim edhe ne në gazetën “Zëri i Popullit”. Përdorej për të evidentuar e portretizuar individë me një rol të veçantë, me kontribute më të spikatur në atë kohë.
Se edhe në atë kohë kishte heronj, siç kishte antiheronj e vrasës të tyre.
Por le t’i ikim asaj kohe e të vijmë në kohën tonë, të flasim për heronjtë e ditëve tona.
Sepse edhe sot ka heronj, siç ka edhe antiheronj e matrapazë heronjsh.
Sot heronjtë e ditëve tona janë të vërtetë, janë të pabujë, janë të pazhurmë.
Ata nuk mbushin gjoksin me dekorata e të kapardisen shesheve e tribunave.
Heronjtë e sotëm janë fisnikë e madhështorë në fisnikërinë e tyre sublime.
Një nga këta heronj është edhe
Prof. Dr. Dhimitër Kraja.
Pas një jete punë si një prej mjekëve më të nderuar dhe me kontribute të veçanta në rreth 50 vjet në shërbimin e infektologjisë, doktor Luli prej disa vitesh është në pension.
Dhe si pensionist ai mund të rrinte i qetë në familjen e tij e ta kalonte këtë periudhë të vështirë si të gjithë ne, mbyllur në shtëpi.
Të rrinte në shtëpi e madje edhe mund të jepte mend nga shtëpia e të na fliste nga ekranet e televizioneve.
Do të ishte po aq i nderuar sa e meriton emri dhe puna e tij.
Por refreni “ç’e vrasim mendjen, rrimë në kuzhinë”, nuk është për doktor Lulin.
Jeta e tij profesionale ka qenë e gjitha dashuri për pacientin dhe luftë për sëmundjen.
E me këtë moto, pa e thirrur askush, por prej kushtrimit të zërit të shpirtit të tij, veshi bluzën e bardhë dhe u kthye në spital. U kthye atje ku në fakt ishte dhe është jeta e tij.
U kthye në vijën e parë të luftës me sëmundjen, të luftës me të keqen.
Sot heroi im doktor Lul Kraja po lufton për jetën dhe do ta fitojë edhe këtë betejë siç ia ka dalë të fitojë gjithnjë.
Koronavirusi nuk ka fuqi ta mundë doktorin hero!
Unë lutem për ty doktor Lul Kraja, lutem për ty heroi im!
Shërim të shpejtë e me shëndet!