Ish-futbollisti i Tiranës Florian Riza foli për herë të parë pasi u shërua nga koronavirusi.

Premte, 10 Prill 2020 09:05

Në një prononcim për “ABC News”, shefi i sektorit të futbollit të femrave në FSHF rrëfeu se u injorua nga shërbimi i urgjencës pasi i kontaktoi kur iu shfaqën simptomat e para të COVID-19. Përveç kësaj, kushtet e spitalit ku ai u mjekua, Riza i konsideroi si skandaloze dhe të ngjashme me atë të 100 viteve më parë.

Nga ana tjetër, ish-futbollisti bardheblu u shpreh pro vazhdimit të kampionatit dhe aludoi se Kategoria Superiore mund të rinisë ndeshjet në fillim të qershorit.

Njëkohësisht, ai përshëndeti ndihmën financiare që FSHF-ja do të shpërndajë për klubet dhe futbollistët në Shqipëri. Ai i bëri apel qeverisë që të reagojë për futbollin në vendin tonë.

“Simptomat e koronavirusit – 38 deri në 39 kisha temperaturë dhe ethe dhe nuk e kuptova çfarë është kjo, por duke qenë se ishte një stinë virale nuk u shqetësova. Me kalimin e ditëve kur bëhet dhe problematike temperatura e lartë, fillojnë dhe konsultat e para me njerëzit e familjes dhe mjekët. Nga konsultat me njerëzit e afërm më thanë që të merrja 127 në telefon dhe e kam bërë diçka të tillë as ditës së gjashtë të temperaturës kam marrë 127 në telefon u informova nga personi që flisja se duhet të vijoja të isha në shtëpi pasi ishte thjesht një virozë stinore dhe nuk kishte të bënte me Covid dhe më tha që të pija paracetamol.

Vijova dhe tre katër ditë të tjera më pas telefonova sërish 127 për të kërkuar ndihmë se çfarë po ndodhte pasi ishte një temperaturë që zgjati 7-8 ditë dhe ishte e lartë por nuk mora përgjigje dhe u detyrova që të shqetësoja doktorin Arjan Harxhi që ka ndjekur rastin tim. Pas kontaktit me të ai më dha një antibiotik për të parë si do më reagonte trupi dhe temperatura vijojë sërish e lartë dhe në darkë vendosëm që me 21 mars të shkoja në spital për të bërë një skaner për të parë se çfarë vatre infeksioni mund të kisha në trup. Në momentin që mbylla telefonin me doktorin, temperatura ra dhe unë kam djersitur dhe kur jam paraqitur në spital nuk kam pasur temperaturë, por pas skanerit kam parë se kisha një inflamacion të shkallës së mesme dhe duhet të shtrohesha në spital. Pasi u ekzaminua mushkria, më bënë testin e COVID ku rezultova pozitiv.

Unë jam ish-futbollist i Tiranës dhe kam mentalitetin e njeriut që nuk duhet të dorëzohet dhe një nga arsyet është se kjo sëmundje ka nevojë për një moral të lartë dhe besim tek vetja, ndoshta kjo ka qenë një nga arsyet. Ditën që shkova në spital nuk kisha asnjë shqetësim, pasi une e di trupin tim. Më tepër e gjithë historia ime është se 127 është një urgjencë që nuk ju vjen në ndihmë njerëzve, besoj se kjo është një problem i madh, pasi 11 ditët me një temperaturë 39 është e vështirë që të përballohet nga secili.

Qëndrimi në spital – Ishte një tmerr i vërtetë, aty mungonin kushtet e higjenës, mungonte sapuni, veshjet e pacientëve, të ushqimit, vuajtja më e madhe ishte në spital për shkak të këtyre kushteve sesa nga sëmundja që unë e kisha kaluar pjesën më të madhe në shtëpi. Njerëzit aty kishin problematika nga më të ndryshme, por të kesh njerëz të uritur në spital dhe pse në një gjendje të sëmurë me Covid. Nuk e mban vendi që në 2020 mos të kesh një pavion, nuk e di se si çertifikohen këto pavione që për mua i përket akomodimit i perket vitit 1920. Por, duke qenë se ishte i vetmi spital Covid-je i detyruar të durosh kushtet.

Kampionati – Absolutisht jo. Unë mendoj se është skenari i fundit ne do e zhvillojmë kampionatin me çdo kusht ndoshta unë nuk mund të them se kur, por do të luhet dhe pse me data të shtyra. Java e parë e qershorit mund të jetë dhe fillimi.
Ndihma e FSHF-së për klubet dhe refuzimi nga ana e kryeministrit- Është një ndër gjërat më të mira që ka bërë Federata e Futbollit, dhe presidenti Armando Duka në këtë rast. Humanizmi prediminon në këtë rast pasi kjo nuk është një detyrë e federatës, por njerëzit që kanë vlera dhe e kanë humanizmin brenda vetes eshtë një vlerë e madhe që të arrijnë në këto përmasa. Kjo është një ide që ka disa ditë që është lançuar, pasi futbolli duket sikur është vetëm i 10 apo 20 ekipeve, por ne kemi rreth 16 mijë fotbollistë dhe stafe të tërë që merren me ndeshjen e futbollit dhe të gjithë duhet të paguhen. Nëse qeveria nuk e mori guximin për të paguar këto, Federata mori vendimin e duhur. Qeveria duhet t’i vërë gishtin kokës dhe të reflektojë, pasi Federata mund të arrijë minimalizmin e saj për të paguar këto paga, qeveria duhet të bëjë 3-fishin.

Login to post comments