Në një lidhje me Skype për emisionin "Tempora" të gazetares Sonila Meço, ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani u shpreh se, pas ekzekutimit të Gjykatës Kushtetuese Shqipëria nuk është më një shtet kushtetues.
Sipas Manjanit, në shoqërinë tonë nuk mund të flitet për shtet ligjor, pasi nxirren akte normative përmes Facebook-ut, që sipas tij, janë akte antikushtetuese.
"Republika e Shqipërisë ka kohë që e kanë marrë grushtin poshtë brezit. E ka marrë qysh ditën qe shteti ka ekzekutuar Gjykatën Kushtetuese dhe nuk kemi më një shtet kushtetues. Me virus, pa virus, me tërmet, pa tërmet, pushteti i qeverisë mbi të drejtat e njeriut, mbi normat e shteti, mbi parlamentin, mbi gjykatat ka ardhur duke u rritur dhe sot jemi në një ekstrem të jashtëzakonshëm te kushtetutës. Në shoqërinë shqiptare nuk mund të flitet më për sundim të kushtetutës dhe të ligjit. Edhe normat e jashtëzakonshme njoftohen në Facebook përpara se të formalizohen në aktet normative. Dhe ato që kam parë unë asnjë akt nuk qëndron në ato akte në raport me kushtetutën, por vetëm me kushtetutën e Surrelit", tha ish-ministri i Drejtësisë.
Ai shtoi se, kryeministri Rama nuk është për lirinë dhe demokracinë, por po instalon kultin e tij të individit, pasi është në rënie politike dhe në fund të mandatit
"Lexoni me vëmendje dokumentin e Këshillit të Evropës! Rama i përgjigjet këtij dokumenti vetëm më një batutë, që në fakt tregon të vërtetën në atë që thotë, sepse ai nuk është për lirinë dhe demokracinë, e ka thënë vetë, por po merr masa të jashtëzakonshme dhe po shpëton populli. Kjo të çon tek ajo që unë e kam bindje të thellë që në të gjithë këtë situatë, politikanë Edi Rama, që të instalojë kultin e tij personal. Nuk është çudi që ndonjë ditë të na dalë me Covid që tu dhimbset njerëzve. Ne fakt nuk është i sëmurë, por mund ta shpikë këtë gjë. I duhet ky kult se është në një rënie dramatike, është në fund të mandatit, i shteruar në mjetet politike. Dhe mendon se duke eliminuar çdo gjë institucione në vend dhe ia ka arritur kësaj gjëje, ai do të mundet që të legalizojë kultin e tij. Del çdo vakt në televizor. Është i vetmi njeri në vend që vazhdon të merret me politikë, këtë nuk duhet ta harrojmë, sepse para kësaj nevoje me të nuk flitet për kushtetutë", u shpreh Manjani.