Pandemia që nuk duhet të çojë në autoritarizëm…

Tuesday, 14 Prill 2020 23:03

Nga Tomorr Alizoti

Këto ditë të vështira për të gjithë botën dhe padyshim edhe për vendin tonë po shërbejnë për reflektime nga më të ndryshmet. Studiuesit po kthehen pas për të parë efektin e epidemive apo të pandemive të dikurshme për të kuptuar sadopak se si do të jetë bota nesër apo se si do të jetë jeta jonë nesër. Aktualisht ne, bota, të gjithë janë duke përjetuar një situatë që nuk është parë kurrë në pandemitë apo në epidemitë e dikurshme. Për shkak të një komunikimi shumë më të lartë, për shkak të një dinamike shkëmbimesh të gjithëfarësojshme në të kaluarën sot gati e gjithë bota është futur nëmasa distancimi social dhe izolimi.

 

Qëkur pandemia ka zaptuar botën duket sikur jemi një tufë copëzash të vogla te cilat përplasen në një hapësirë me njëra tjetrën. Të paktën këtë përshtypje na jep edhe një grafik i Washington Post-it. Një nga këto copëza është e infektuar dhe gjatë përplasjeve infekton të tjerat me një shpejtësi marramendëse. Në fund janë pjesa më ë madhe e popullsisë të infektuar në mos të gjithë. A jemi ne ende qenie me arsye dhe ndërgjegjeje? A e njohim më veten? Apo jemi thjesht copëza që përplasen në hapësirë dhe infektojnë njëra tjetrën e që kontrollohen nga shteti i cili përpiqet të na mbrojë dhe të na kontrollojë? Kjo gjendje e rëndë e përhapjes së virusit padyshim që do të impononte një përgjigje të vështirë, një përgjigje që do ta reduktonte lirinë tonë, një përgjigje që do të çelte rrugën për një kuptim të ri të rolit tonë në shoqëri dhe të rolit të shtetit. A mund të mbërrijmë ne në një pikë që të konsiderohemi siç thotë Washington Post në grafikun e saj, qenie të tilla të ngjashme me pjesëza apo objekte pa ndërgjegjeje, që shteti ti mbyllë në banesa, që shteti tu japë leje me orare për të dalë, që shteti ti kërcënojë me tanke apo autoblinda etj.

 
 

Që në krye të rrugëtimit për në modernitet, që në nisje të sistemeve politike që çuan në demokraci mendimtarët, filozofët, studiuesit kanë shkruar shumë për natyrën e shtetit të ri, për të drejtat dhe liritë e individit, për garantimin e tyre, për kufijtë e shtetit etj. Një pjesë e madhe e mendimit të zhvilluar në Europë dhe SHBA sidomos, e ka parë individin si një qenie me të drejta të patjetërsueshme, me liri të patjetërsueshme dhe mbi këtë premisë do të ndërtohej edhe shteti, edhe sistemi politik edhe gjithë kuptimi ynë mbi to. Individi i ka këto të drejta në mënyrë të natyrshme dhe sistemi politik apo shteti që do të ndërtohet do të ketë për detyrë bazë garantimin e këtyre lirive dhe të drejtave. Nga kjo premisë është ndërtuar ndarja e pushteteve, kufizimi i i rolit të shtetit, shenjtëria e pronës dhe shteti i sundimit të ligjit dhe të së drejtës. Një pjesë e tjetër e mendimit ka parë si përparësore shoqërinë dhe kolektivin dhe ka kërkuar që individi dhe të drejtat e tij të mos kenë ndonjë përparësi përpara asaj të kolektivit. Ky lloj mendimi që ka rrënjë herët në mendimtarët utopikë të socializmit u bë një prej kolonave mbi të cilën u zhvillua revolucioni francez. Krimet e këtij revolucioni u kryen nën ushqimin e këtyre ideve. Rusoi sidomos por dhe Volteri, Robespieri etj mendonin se njeriu ishte korruptuar gjatë historisë dhe se duhej përmbysur gjithë rendi i vjetër për të ndërtuar një të ri. Ky rend i ri duhet të qeverisej nga vullneti i përgjithshëm i popullit, sepse tek ky vullnet mishërohej fuqia për të shkatërruar padrejtësitë dhe korruptimin historik.

 

Ky vullnet i përgjithshëm i popullit do të merrej në dorë nga qeveria e cila do të dinte që të bënte për popullin atë që ishte më e mirë për të. Më vonë këto ide u morën dhe u përpunuan edhe më nga Marksi i cili e ktheu në “teori shkencore” rrëzimin e sistemit kapitalist dhe ndërtimin e sistemit të ri ku interesi kolektiv, kolektivja, ishte padyshim mbi individualen. Për këtë filozofi individi i parë si qenie me liri dhe të drejta të patjetërsueshme është një rrezik për revolucionin, ai mund të bëjë të pamundur ndryshimin e madh. Individi duhet zhbërë dhe duhet të jetë një pjesëtar i zakonshëm i kolektivit. Brenda kolektivit individi është asgjë, është një masë amorfe e njëjtësuar me këdo tjetër sa i takon identitetit dhe dinjitetit personal dhe për pasojë edhe lirive dhe të drejtave. Këto pikëpamje u bënë të fuqishme në Evropë dhe në shumë vende të botës. Këto pikëpamje janë një mjet i shkëlqyer për të gjithë ata politikanë që duan shumë pushtet, që duan të sundojnë, që duan ta kthejnë pushtetin në diçka sakrale i cili u takon vetëm atyre. Këto pikëpamje janë tërheqëse për të gjithë ata që janë duke përjetuar një vuajtje qoftë ajo ekonomike apo sociale, qoftë ajo e çfarëdo forme tjetër në të cilën përfshihet roli i qeverisë. Këto pikëpamje ofrojnë një botë re të “lumtur dhe të begatë” ofrojnë një botë ku shteti apo qeveria kthehet në baba, në nënë, në mësues,, në mjek, në kult dhe në zot.

Këto pikëpamje prodhuan disa nga krimet më të tmerrshme në historinë e njerëzimit. Ato prodhuan komunizmin dhe fashizmin. Ato prodhuan kampet e përqëndrimit, prodhuan gulagun, prodhuan aushvicin, prodhuan edhe kampin e Spaçit apo burgun e Burrelit tek ne. Këto pikëpamje prodhuan zi buke ku vdiqën miliona në Ukrainë apo Kinë, në Shqipëri apo në Kamboxhia. Këto pikëpmaje jo vetëm që i shkatërruan njerëzit si individë që kanë liri dhe të drejta por iu shkatërruan atyre edhe integritetin fizik. Përballja mes këtyre dy premisave mbi individin dhe kolektivin kanë të paktën dy shekuj që janë të pranishme në botë në mënyrë të fuqishme. Këto dy pikëpamje janë edhe sot shumë të fuqishme. Ndonëse premisa e kolektives dështoi me turp, prodhoi krime, prodhoi mënxyra ajo ende këmbëngul, ajo ende kërkon siç thotë një personazh i Passolinit, si vampir për gjah. Ajo endet e veshur nën petkun e shpëtimtares nga kriza, e shpëtimtares nga vuajtja në të cilën mund të gjenden njerëzit duke kërkuar të kthehet gjithnjë e gjithnjë.

Kriza e pandemisë së korona virusit mund të jetë një mburojë e mrekullueshme për të gjithë ata politikanë apo ato qeveri që përkunden nën këto ide të kolektives dhe që ëndërrojnë të sundojnë, të dominojnë dhe të mos bien nga pushteti. Shumë filozofë sot po kërkojnë kujdes që kufizimet e sotme të mos lejohen të kthehen në mjet për autoritarizëm, për përqëndrim pushteti, për shkatërrim të lirive të njerëzve. Kriza e pandemisë së koronavirusit po ushqen gjithashtu mjaft studiues apo veprimtarë politikë që të thonë se shteti duhet të forcohet, se ekonomia publike duhet të rritet, se individi dhe sektori privat po tregojnë se nuk e përballojnë dot një krizë të tillë të madhe. Debate të tilla po bëhen kudo megjithatë vendet me traditë të fortë të mbrojtjes së lirive, vendet me traditë të fortë kundër tiranive apo formave totalitare të qeverisjes po e përballin pandeminë pa imponime radikale, pa kufizime të mëdha të lirive dhe pa tanke apo autoblinda rrugëve. Britania e Madhe, SHBA-ja, Gjermania, Austria, Zvicra, Australia, Kanadaja kanë kërkuar nga qytetarët qëndrimin në shtëpi. Janë mbyllur baret dhe restorantet, janë mbyllur shkollat por nuk ka orare për të blerë bukë, lejohet dalja në parqe por pa grumbullime, nuk ka tanke apo autoblinda. Vende si Shqipëria, si Kina, si Jordania, janë më të ngjashmit me masat më të egra. Më pas vijnë Italia, Turqia, Serbia me masa më të buta. Kryeministri ynë është i njohur si një dështim i vërtetë në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave.

Kufizmet e ashpra që ai ka vendosur, dhënia e lejes me email për një orë për të blerë bukë dhe ushqime vetëm një njeri nga familja, nxjerrja e ushtrisë në rrugë janë shenja të pastra të përdorimit të pandemisë për të kënaqur orekse totalitare, për të ushqyer epshe të formave leniniste të qeverisjes. Ne që kemi vuajtur 45 vite një nga format më të ndyra të kolektivizmit dhe të poshtërimit të individit dhe të drejtave nuk mund të lejojmë një kryeministër ta kthejë këtë vend në një hapësirë eksperimentale ku idetë e kolektivizmit apo të bolshevizmit bëhen fytyra e qeverisjes.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

Globi

Reagon Elon Musk: Komiteti im është anti-Soros, prokurorët e tij nuk po luftojnë krimin, kjo është çmenduri

  Miliarderi Elon Musk reagoi pasi një prokuror i Sorosit deklaroi se do ngrejë padi ndaj tij, pasi e akuzon se po mbledh vota për republikanët në SHBA. Prokurori Larry Krasner e akuzon Musk...

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

Politikë

Mbyllet protesta/ Paloka: PPE deklaron se do mbështesë PD-në në votime dhe në luftën e saj për zgjedhje të lira

  Deputeti demokrat, Edi Paloka, deklaroi në mbyllje të protesës së ligjvënësve demokratë përpara Parlamentit Europian në Strasburg se kanë marrë mbështetjen e Partive Popullore Europiane. “Meqë grupi që është nëpër takime...

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

Politikë

'Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme', Spaho: Krimi i organizuar, presion ndaj votuesve

  Deputetë të opozitës po protestojnë gjatë ditës së sotme para selisë së Parlamentit Evropian. Sipas opozitës shqiptare, Rama synon “asgjësimin e opozitës përmes burgosjeve politike, duke rikthyer Shqipërinë 34 vjet më pas”. Deputeti...