Basha: Hapja pa një plan për të kontrolluar virusin, mund të sjell pasoja të rënda

Hënë, 20 Prill 2020 21:02

Kryetari i Partisë Demokratike, në një intervistë për Syri-tv, u shpreh se hapja e shoqëruar pa një plan për të kontrolluar virusin, mund të sjellë pasoja të rënda. Lulzim Basha për këtë, solli shembullin e fasonerive që çdo ditë po sjellin raste të reja të infektimit.

Kjo është arsyeja, shtoi ai, pse kemi kërkuar vazhdimisht rritjen e testimeve. Kreu i demokratëve tha se për këtë arsye ka insistuar në mbylljen e fasonerive, dhe pagat e punojësve mund t’i kishte mbuluar qeveria nëse do të anulonte disa kontrata që ka me oligarkët.

Lidhur me dërgimin e infermierëve të rinj në Itali, Basha u shpreh se e mirëpret çdo ndihmë për Italinë, por theksoi se kjo nuk duhet bërë për propagandë, ndërkohë që qeveria dhe Rama po shpërfillin shqiptarët, siç ishte rasti i të mbeturve në Kakavijë e Kapshticë për disa ditë.

Lideri i opozitës theksoi se qeveria dhe Rama vijojnë të improvizojnë çdo ditë, dhe nuk ka një strategji të saktë dhe hapa të studiuar për menaxhimin e krizës, asaj shëndetësore dhe ekonomike.

Login to post comments