Ish-deputeti demokrat Bardh Spahia përmes një postimi në ‘Facebook’ ka sjellë dëshminë e një çifti të moshuarish që ndodhen në karantinë, pasi kanë ardhur nga Italia, ndërkohe që gjendja shëndetësore e njërit prej tyre nuk është e mirë.
Spahia deklaron se mungon vëmendja ndaj personave të karantinuar. Ai i ka bërë thirrje ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu që të shoh rastin në fjalë me urgjencë, dhe se personave të ‘ngujuar’ në hotele t’u jepet edhe shërbimi shëndetësor.
“Mungesë e papërgjegjshme vëmendjeje ndaj personave të karantinuar! Neglizhencë skandaloze ndaj problemeve të tyre shëndetësore. Siç duket edhe nga denoncimi me video, zonja ka kërkuar ndihmë mjekësore për bashkëshortin e sëmurë dhe askush nuk i përgjigjet! Të karantinuarit nuk janë numra, por njerëz me nevoja, e që kanë të drejta kushtetuese! Më kryesorja, e drejta e kujdesit shëndetësor! I bëj thirrje ministres së shëndetësisë ta shohë me urgjencë këtë rast e të marrë masa që autoritetet shëndetësore t’u përgjigjen nevojave shëndetësore të personave të karantinuar në cdo ambient ku ndodhen!”, shkruan Bardh Spahia.
Ndërkohë, në videon në fjalë, një zonjë rrëfen se si burri i saj për ditë me radhë ka qenë sëmurë, ndërsa ka telefonuar vazhdimisht recepsionin që dikush ta vizitojë atë, apo ta dërgojë në spital. Ajo thekson se një infermier i kishte sjellë një fasho për të mjekuar plagën e operacionit, (e kishte kryer në Itali), ndërsa ky i fundit i kishte thënë që ta mjekonte vet.