Nga Fatjona Dhimitri, Kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik
Përpjekjeve të Kryesisë së Akademisë së Shkencave për të ligjëruar strukturën, organikën, nivelin e fryrë të pagave i pret hovin shkresa Nr. 5249/1 Prot, datë 19/03/2020 e Ministrisë së Financave Dhe Ekonomise . Kjo e fundit vërteton atë çfarë unë vazhdimisht kam pohuar që nga momenti i marrjes së detyrës së Kryetares në Komisionin e Edukimit dhe Mjeteve për Informim Publik .
Më datë 12.02.2020 në kërkesën për informacion të hollësishëm ( shkresa me Nr. Prot 612 Prot , datë 12.02.2020) drejtuar Kryesisë së Akademisë së Shkencave, ndër të tjera kërkoj :
1. “ Ku e bazoni ju në ligj kërkesën tuaj për aprovimin e organigramës dhe personelit të Akademisë së Shkencave?
2. Në cilin ligj bazoheni ju për aprovimin e pjesshëm të pagave të administratës të Akademisë së Shkencave?
3. Përse Komisioni për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik duhet të marrë në shqyrtim kërkesën e Kryetarit të Akademisë së Shkencave lidhur me miratimin e strukturës, organikës, nivelin e pagave të Akademisë së Shkencave ndërkohë që ne kemi aprovuar një buxhet akademie, pra së bashku me buxhetin e shtetit ka kaluar edhe buxheti që i alokohet kësaj të fundit?”
Përfshirja e qëllimshme në paligjshmërinë në të cilën është zhytur sot kjo Akademi, reflektohet edhe në përgjigjet aspak shteruese te Sekretarit Shkencor, Z. Shaban Sinani, referuar shkresës me Nr. 144/1 Prot , datë 17.02.2020, “…Struktura, organika dhe niveli i pagave të propozuara është në përputhje të plotë me buxhetin e miratuar dhe nuk prodhon efekte financiare shtesë e më tej …… pa pozicione punë të tepërta, me funksione dhe organikë të mirëpërcaktuar…”
Për sa më sipër, në shkresën drejtuar Kuvendit të Shqiperisë nuk ka një relacion mbështetës lidhur me shpenzimet që janë bërë dikur prej Akademisë së Shkencave ashtu sikundër pretendohet, që struktura, organika, niveli i pagave nuk prodhojnë kosto shtesë në buxhetin e shtetit.
Struktura, organika dhe niveli i pagave të sjella për miratim në Kuvend prej kryetarit të vetshpallur të Akademisë së Shkencave Z. Skënder Gjinushi, dëshmojnë dyfish paligjshmërinë e këtij dokumenti pasi ai jo vetëm mban firmën e kryetarit te paligjshëm të Akademisë, por nga ana tjetër ky i fundit zhytet edhe më thellë në sferën e abuzimeve përmes firmosjes së dokumentave me efekte financiare në dëm të buxhetit të shtetit.
• Por si munden këta zotërinj që ulen në kolltukun e akademikut të mos respektojnë ligjin që aq shumë e propaganduan për të vënë kontrollin absolut mbi mendimin shkencor?!
• Si mund të pohojnë që struktura, organika dhe niveli i pagave të propozuara nuk prodhojnë pozicione pune të tepërta kur vetë kryesia e Akademisë shpërndan para për komisione vetëm për pjesëmarrje në mbledhje, madje edhe për njësitë e pambështetura në ligjin i cili u miratua në shkelje te Kushtetutës përsa i perket relacionit financiar?!
• Ngrejnë institutet kërkimore paralele duke shpenzuar fondet e buxhetit të shtetit e si rrjedhojë taksat e qytetarëve shqiptarë.
• Krijojnë një aparat të fryrë prej më tepër se tridhjetë nëpunësish.
• Ende nuk tregojnë rendimentin financiar të objektivave për vitin 2020.
• Vendosin praktikën e faljeve të botimeve duke krijuar mundësinë për korrupsion dhe abuzime.
• Nuk kanë recencuar me recenca të jashtme planin e botimeve .
• Funksionojnë pa koordinim me universitetet duke gllabëruar kompetenca në mënyrë ekskluzive.
• Për të shkuar më tej me mendimet e marra hua të cilat i bëjnë fakte të kryera dhe i quajnë ato shkencore.
Si mund të heshtë politika dhe drejtësia shqiptare për atë cfare po ndodh sot në Akademinë e Shkencave?
Në vendet perëndimore tempulli i shkencës prodhon ide shkencore përmes metodave shkencore , krejt e kundërta me atë çfarë ndodh në Shqipëri, aty ku shkenca vihet në shërbim të udhëheqjes politike e transformohet në çerdhe abuzimesh për përfitime vetjake.
Ne fakt Akademia e Shkencave po tregon që nuk ka përparuar që nga koha e komunizmit e cila ishte në shërbim të diktaturës.
I bëj thirrje organeve të drejtesise dhe në veçanti SPAK-ut të hetojë faktet e publikuara si dhe të iniciohet një procedurë për atë çfarë po fsheh Akademia e Shkencave.
Shqipëria ka nevojë të orientohet drejt novacioneve për të avancuar në harmoni me shtete të përparuara Europiane dhe të tilla nisma për të shpërdoruar buxhetin e shtetit deri në babëzi nuk sjellin gjë tjetër veç varfëri dhe plakje të trurit.