Në Shqipëri 100 vatra infeksioni/ Rakacolli: Ja çfarë do të ndodhë me fasoneritë

Premte, 24 Prill 2020 18:19

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli ka folur për Euronews Albania në lidhje me gjendjen e pandemisë së COVID-19 në Shqipëri. 

Ajo theksoi se pavarësisht numrave të regjistruar me coronavirus, situata është e menaxhueshme dhe kjo tha Rakacolli faktohet nga rënia e personave që marrin shërbim në spital dhe numri i atyre që janë shëruar.

“Situata është tërësisht e kontrolluar, sepse edhe ato rritje që shënohen janë brenda kurbës së vlerësuar. Shifrat janë brenda atyre të priteshin dhe janë të kontrolluar. Gjendja ka qenë më e mirë se sa java e kaluar”, tha ajo.

E pyetur nga gazetarja e Euronews Albania, Bruna Çifligu, për numrin e vatrave në Shqipëri, znj. Rakacolli u shpreh se 100 vatrat aktive që janë dokumentuar tashmë nuk përbëjnë ndonjë rrezik të shtuar.

Ajo foli edhe për situatën në fasoneri, të cilat së fundmi janë kthyer në vatra infeksioni për COVID-19, ndërsa theksoi se subjektet që janë kapur në shkelje janë mbyllur sipas ligjit në fuqi.

“Nuk është fare i lartë, sepse 100 vatra aktive, do të thotë se këta persona janë të shpërndarë në formë vatrash. Kjo ka qenë gjëja jo e mirë e javës së kaluar, ku pati një numër të konsiderueshëm.

E rrezikshme nuk quhet për komunitetin e madh, sepse qendrat e grumbulluara do të thotë se e ke më të vogël shpërndarjen e infeksioneve dhe gjurmimin e kontakteve e ke më të lehtë.

Kjo është një tregues se nëse nuk zbatohen masat, mund të ndodhin edhe ato që ndodhën. Në bazë të ligjit, fasoneritë të cilat u evidentuan njerëz të sëmurë janë të mbyllura. Kontrolli do të jetë edhe më i madh. Do të ketë persona që do të ndjekin masat në terren”, theksoi Rakacolli.

Pyetjes se a është menduar për mbylljen e fasonerive, zëvendësministrja u përgjigj si vijon:

“Komiteti i Ekspertëve nuk e ka gjykuar të ishte e nevojshme mbyllja. Në rast se zbatohen masat e rekomanduara, që kanë të bëjnë me distancimin dhe përdorimin e masave nuk ka problem. Ka çeduar tek pjesa e mospasjes së mjeteve mbrojtëse personale”, theksoi ajo.

Lidhur me rastet e shtuara të personave të infektuar tek “Burgu 313”, Rakacolli u shpreh se në këto ambiente është bërë një hetim epidemiologjik i detajuar, ndërsa shtoi faktin se në kohë pandemie është shumë e vështirë gjetja e burimit të infeksionit.

“Është bërë një hetim i rëndësishëm epidemiologjik për këtë institucion dhe kjo ka treguar se në kohë pandemia është e vështirë të gjesh se ku merret infeksioni. Vetëm në saj të kësaj, u bë e mundur të zbulohen edhe rastet e tjera dhe kjo gjë tregon me prova se sa e rëndësishme është respektimi i masave të distancimit fizik.”, theksoi ajo.

Login to post comments